Foto: arkivi privat
HYRJE
Në këtë punim, fillimisht do të bëjmë një rikthim mbrapa në periudhën e mes luftërave, e cila është shumë e rëndësishme për letërsinë malazeze, pastaj do të themi diçka për lëvizjen e letërsisë sociale, kush janë përfaqësuesit e saj dhe për aspiratën për afimimin e gjuhës dhe kulturës malazeze. Do të përmendim gjithashtu shkrimtarët që ishin shkolluar jashtë Malit të Zi, të cilët luftuan për idealet e përbashkëta me veprat e tyre letrare dhe kështu ndikuan edhe në politikë.
Sigurisht, theksi i këtij punimi është në jetën dhe veprën e Radovan Zogoviqit, një person i madh që është shumë i rëndësishëm për kulturën malazeze, njeri me vlera të jashtëzakonshme që ndikoi në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore me punën e tij. Pra, fokusi është në rolin e tij në kulturën e mes luftërave, ndikimin, punën dhe ndriçimin e mundimeve dhe vuajtjeve njerëzore.
Zogoviq ka qenë i qëndrueshëm në misionin e tij pavarësisht pengesave që hasi gjatë punës së tij, sepse siç e dimë ai ishte një shkrimtar i kritikuar, i dënuar dhe i censuruar. Për një kohë ai ishte i ndaluar të botonte vepra letrare. Përkundër gjithë kësaj, ai qëndroi besnik ndaj vetvetes, ndaj vlerave të tij etike. Do të themi diçka për veprën “Ardhësit – këngët e Ali Binakut”, për botimin e edicionit të parë dhe të plotësuar, gjithashtu për përkthimin në gjuhën shqipe.
Për më tepër, ne do të theksojmë subjektivitetin e poezisë së Zogoviqit, si dhe vuajtjet e popullit shqiptar që e motivuan atë për të shkruar një poezi të tillë. Më pas do të analizojmë veprën dhe stilin e shkrimit. Qëllimi i këtij punimi është të studiojmë dhe kujtojmë Radovan Zogoviqin si një autor dhe njeri mbrojtës dhe gjithashtu për meritat e afrimit të dy popujve fqinjë që në kohë të kaluara kanë duruar dhe vuajtur padrejtësi të ndryshme. Pra, përveç asaj edhe shembullin e kuptimit të miqësisë, sepse siç thotë populli, “miqtë e vërtetë e njohin njëri-tjetrin në kohë të vështira”, dhe në të vërtetë Zogoviqi për shqiptarët ka qenë një mik i vërtetë në kohë të vështira.
LETËRSIA MALAZEZE E MES LUFTËRAVE
Letërsia malazeze e mes luftërave
Termi i letërsisë ndërmjet dy luftërave tregon krijimtarinë në periudhën midis Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore. Letërsia malazeze gjatë shekullit të njëzet u zhvillua në kushte dhe ngjarje të ndryshme historike, shoqërore dhe politike. Mali i Zi, si një vend luftëtar dhe patriarkal, kaloi luftëra lokale dhe botërore, duke humbur shtetësinë, historinë, kulturën e saj, por që mbeti gjallë pavarësisht luftërave dhe shteteve të ndryshme që janë formuar.
Në këtë periudhë, midis dy luftërave botërore, Mali i Zi u bë pjesë e Jugosllavisë, sepse pas Luftës së Parë Botërore, Mbretëria e Jugosllavisë u formua nga bashkimi i shteteve Jugosllave. Me shfaqjen e Jugosllavisë, Mali i Zi si shtet dhe në përgjithësi i gjithë identiteti i tij kulturor u shua (1918–1941). Vetëm në 1945, domethënë, pas Luftës së Dytë Botërore, letërsia malazeze u zhvillua në kushte të ndryshme, gjatë socializmit. Në atë kohë, Mali i Zi u njoh si të gjitha republikat anëtare të Jugosllavisë, duke njohur elementet e tij politike dhe kombësinë e tij. Kështu, Mali i Zi përjeton ngritjen, përparimin dhe zhvillimin industrial, politik dhe ekonomik, hapen institucione të ndryshme, arsimore dhe kulturore, të cilat janë nxitëset kryesore të zhvillimit shoqëror dhe si simbole të një identiteti të veçantë.
Në këtë periudhë, si dhe në ato të mëparshme, skena e artit është e larmishme, pra stilistikisht heterogjene, sepse shfaqen stile dhe drejtime të ndryshme. Përveç se ka një vazhdimësi të stileve të ndryshme, kjo epokë gjithashtu përpiqet për një perceptim të ri të botës.
Vazhdimi i letërsisë së mes luftërave përbëhet nga faktorë të ndryshëm, siç janë: pakënaqësia me letërsinë realiste, kriza ekonomike, ndryshimet midis njerëzve të pasur dhe të varfër, aludimet e ngjarjeve të luftës. Intelektualët tanë midis dy luftërave botërore ishin arsimuar jashtë Malit të Zi, atje ata mbrojtën bashkërisht të drejtën për lirinë e shprehjes dhe krijimit, të drejtën për të afirmuar pavarësinë dhe trashëgiminë kulturore malazeze, ngritën zërin e tyre kundër luftërave dhe kundërshtuan krimet e luftës. Ata kryesisht i botojnë veprat e tyre në Beograd, që njihet si qendra jugosllave, ku shkollohen shumica e tyre. Mendimet dhe veprimet e tyre do të përcaktohen nga një koncept i qartë poetik dhe një përmbledhje e vlerave të caktuara shoqërore dhe letrare. Ata luftuan për të drejtat e tyre, për të hyrë në komunitetin jugosllav me identitetin, kulturën, historinë, politikën, letërsinë e tyre dhe për të vendosur statusin e tyre.
Si njerëz intelektualë dhe siç u ka hije, si armë kryesore kishin dijen, tolerancën dhe me njohuritë e tyre luftuan për të ndikuar në mënyrë paqësore në ngjarjet e asaj kohe. Duke duruar kritika të ndryshme, kërcënime, ata e vënë veten dhe familjet e tyre në rrezik, por nuk u dorëzuan për asnjë moment.
Secila vepër e tyre paraqiste një armë dhe rrezik për politikën në atë kohë. Sidoqoftë, shkrimtarët e asaj kohe ishin të angazhuar dhe u përpoqën që përmes krijimeve të tyre dhe me ndihmën e poezisë të ndikonin në ngjarjet politike të asaj kohe. Artistët e asaj kohe po kërkonin forma stilistike dhe disa risi që do t’i mundësonin ata të shprehnin dhimbjen, trishtimin dhe paaftësinë e individëve për t’i rezistuar luftës dhe ngjarjeve të ardhshme historike. Karakteristikat e poezisë në këtë periudhë janë: vargu i lirë, ritmi i ndryshueshëm dhe pasuria e figurave stilistike, ku edhe dominojnë motivet e pesimizmit, frikës, pafuqisë, dhimbjes, vuajtjes, etj.
Poezia malazeze midis dy luftërave kishte tema të kufizuara dhe shprehje të thjeshtuar. Poetët tanë midis dy luftërave krijuan një lidhje me traditën, me një pasurim të fjalorit popullor dhe metaforave. Ata gjithashtu krijuan një lidhje me kohën dhe realitetin, që brezat para tyre nuk e arritën. Në Mal të Zi domethënie të madhe historike mes dy luftërave kishte gjenerata e krijuesve malazezë, që përbëhej nga: Mirko Banjeviq, Radovan Zogoviq, Janko Gjonoviq, Dushan Kostiq, Risto Ratkoviq e të tjerë.
Rikthim në lëvizjen e letërsisë sociale
Letërsia malazeze pas Luftës së Parë Botërore u krijua jashtë kufijve të Malit të Zi. Ajo u krijua nga intelektualë të rinj, të cilët ishin arsimuar jashtë Malit të Zi, në Beograd, Zagreb, Shkup dhe qytete të tjera. Me ta, shfaqen tendenca të reja të shquara të mjediseve kulturore të sllavëve të jugut, të cilat janë të orientuara nga e majta dhe mbrojnë barazinë sociale, të drejtat e punëtorëve dhe demokratizimin. Duke mos u pajtuar me jetën aktuale letrare dhe klimën shoqërore, intelektualët malazezë krijojnë ide të reja të avangardës që kërkojnë të ndryshojnë kushtet aktuale shoqërore, politike, estetike dhe ideologjike. Falë përpjekjeve dhe aktiviteteve të tyre, ata kontribojnë që Universiteti i Beogradit të bëhet një bërthamë e fortë e së majtës Jugosllave. Kështu, krijohet fronti i majtë i shkrimtarëve, konceptohet një lëvizje e letërsisë sociale. Domethënë, shkrimtarët që i përkisnin letërsisë sociale midis dy luftërave ishin: Radovan Zogoviq, Mirko Banjeviq, Janko Gjonoviq, Millovan Gjilas, Nikolla dhe Gjorgje Llopiçiq, Mihailo Vukoviq, Risto Ratkoviq (Radovan Zogović, Mirko Banjević, Janko Đonović, Milovan Đilas, Nikola i Đorđe Lopičić, Mihailo Vuković, Risto Ratković) e të tjerë.
Këta shkrimtarë botojnë veprat e tyre në “Librin e miqve” (Knjiga drugova), i cili u përgatit në 1928 dhe u botua në 1929, kurse redaktorët e tij ishin Jovan Popoviq dhe Novak Simiq bashkë me lirikët e rinj social. Lëvizja e letërsisë sociale gjithashtu doli nga këto rryma, kur në Beograd me punën e një grupi intelektualësh dhe shkrimtarësh u themelua shtëpia botuese “Nolit” dhe revista “Nova literatura” (Letërsia e re). Themeluesit dhe redaktorët e saj janë: Pavle Bihal, Oto Bihal Merin, Otokar Kershovani dhe Veselin Maslesha.[1]
Kjo lëvizje, gjatë zhvillimit të saj deri në vitin 1941, kaloi nëpër dy faza: faza e “letërsisë sociale” në kuptimin e ngushtë deri në vitin 1934, dhe faza e “realizmit të ri” nga 1935 në 1941.
Në fazën e parë, përveç revistës “Letërsia e Re”, botohen revista të tjera, nga të cilat më të rëndësishmet janë: “Kultura”, “Selia”, “Letërsia”, dhe në fazën e dytë “Realiteti ynë”, “Arti dhe Kritika”.
Poetika e letërsisë sociale përbëhet nga materializmi dialektik dhe pikëpamja marksiste e shoqërisë, dhe sigurisht nga angazhimi në luftën e klasës punëtore dhe të gjitha forcave të përparuara për transformimin revolucionar të shoqërisë. Krahu poetik i lëvizjes së letërsisë sociale në letërsinë tonë përbëhet nga: Mirko Banjeviq, Radovan Zogoviq dhe Janko Gjonoviq. Ata sjellin ndryshime të caktuara poetike dhe siç theksoi Millorad Stojoviq (Milorad Stojović) se “poezia malazeze fitoi freskinë dhe tonin e strukturave dhe talenteve të ndryshme poetike, ata tejkaluan klimën për t’u ngritur mbi pozicionin e tyre shoqëror për të kapërcyer kriteret e ngushta, praktike letrare të momentit dhe për të krijuar një vepër artistike të qëndrueshme.“[2]
Kështu, programi i letërsisë sociale u realizua me qëndrueshmërinë më të lartë në kritikën letrare, kishte një ngushtim të mundësive krijuese të letërsisë, sepse të gjithë modernistët dhe shkrimtarët avangardë u refuzuan dhe ata që u pranuan në atë rreth u desh të braktisnin bindjet e mëparshme politike dhe poetike. Theksohen edhe rrethanat e punës, kryesisht frika e krijimtarisë nga censura, kështu që nuk u shfaq asnjë program konkret dhe i konceptuar dhe tekst i qartë, i cili do të shërbente si një shtyllë poetike për shkrimtarët. Dhe për shkak të kësaj, kishte konflikte dhe konfrontime midis shkrimtarëve të të njëjtit orientim, por pothuajse të gjitha rastet kishin të bënin me mbrojtjen e artit dhe mendimit të lirë.
Në fakt, shkrimtarët e letërsisë sociale ishin më të përkushtuar në realizimin e planit të tyre. Ata kryen një përtëritje të poezisë revolucionare sociale. Një ngjarje e rëndësishme është sigurisht edhe proza, sepse ndodh kalimi nga shprehja ekspresioniste në atë social realiste, pastaj bashkimi i aspiratave të reja realiste socialiste me rajonalizmin tradicional. Në periudhën e pasluftës, me ndryshimin e sistemit shoqëror dhe statusin e Malit të Zi në bashkësinë jugosllave, poetët malazezë u kthyen në atdheun e tyre si themelues të gazetave dhe revistave, ngjarjeve letrare, institucioneve kombëtare dhe të ngjashme.
Për rolin e Radovan Zogoviqit në kulturën e mes luftërave
Radovan Zogović është tregimtar, poet, romancier, përkthyes, kronist, kritik, eseist dhe polemist i njohur malazez, i cili me punën e tij dha një kontribut të madh në letërsinë dhe kulturën malazeze. Ai lindi më 19 gusht 1907 në fshatin Mashnica në Polimlen e sipërme (Andrijevicë). Ai mbaroi klasën e parë të shkollës fillore në Mbretërinë e Malit të Zi, të dytën nën Austro-Hungarinë dhe të tretën dhe katërtën në Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, për të cilat poeti thotë: “Në vetëm tre vjet, unë duhej të dija, të këndoja dhe të merrja si ligj, tri himne, tri shtete të ndryshme ku dhe himni i Mbretërisë së SKS ishte i përbërë nga tre himne të gjata dhe krejtësisht të ndryshme.”[3]
Kështu që, pasi përfundoi shkollën fillore në vendlindjen e tij, ai ndoqi shkollën e mesme në Berane (Ivangrad), pastaj filloi të shkruajë tregime të shkurtra kundër alkoolit, alkoolistëve dhe trafikantëve të alkoolit. Në klasën e katërt botoi këngë popullore, fallxhorë, skeçe dhe përshkrime të valleve popullore në të përjavshmen e Beogradit për shaka, argëtim dhe mbledhje të folklorit. Pastaj, dy klasa e gjysmë të shkollës së mesme i ndoqi në Pejë dhe Tetovë, sepse babai i tij Gjorgje Gjoko Zogoviq dhe familja e tij u larguan nga fshati Mashnica dhe u zhvendosen në Dubravë afër Deçanit. Ndërsa ishte ende në shkollë të mesme, botoi letra anonime në gazetën satirike malazeze Radojica i Vogël (Mali Radojica) dhe në disa punime humoristike të tjera në Beograd, kurse kënga e tij e parë studentore me temë nga e kaluara mesjetare “Kurorëzimi i Stefan Deçanskit” (Krunisanje Stevana Dečanskog), u botua në revistën “Kurora” (Venac) (1926/27). Pas kësaj, ai u përjashtua nga Gjimnazi i Pejës, sepse në një hartim me shkrim ai sulmoi priftërinjtë dhe besoi se po vuante si komunist. Kjo është kur u shkrua libri autobiografik Bërja dhe Ekzistenca, në fragmentet e të cilit mund të shohim rebelimin e Zogoviq kundër shoqërisë dhe angazhimin e tij për komunizmin dhe letërsinë e angazhuar.
Zogoviq regjistroi letërsinë në Universitetin e Shkupit, në Fakultetin Filozofik, ku u diplomua në korrik 1933. Si student së bashku me një koleg, ai botoi një Almanak satirik në vitin 1930, i cili i kushtohet problemeve shoqërore dhe njeriut të rendit kapitalist. Shkroi poezi, tregime të shkurtra, etj. Tregimet e tij të njohura janë: “Zemrat në varëse kasapësh” dhe me urdhër të autoriteteve (udhëheqësisë) ai shkroi historinë “Shtëpia e bardhë” e cila u botua në “Stožer” (Stozher), histori për shqiptarët në Rrafshin e Dukagjinit (Metohija), të cilëve u duhej të ngjyrosnin shtëpitë e tyre me ngjyrë të bardhë nga jashtë, por përkundrazi brenda gjithçka ishte e errët dhe e mjerueshme nga varfëria dhe imponimet e ndryshme.
Ai punoi si korrektor në një shtypshkronjë në Shkup dhe Zajeçar, si arsimtar në një shkollë në konvikt të një gjimnazi privat në Beograd në 1935. Për fat të keq, në fund të Prillit 1936, u diagnostikua me tuberkuloz në mushkëri. Pesë vite kaloi nëpër spitale dhe llixha, së pari në Frushka Gora, pastaj në sanatoriumin Klenovik në Zagorjen Kroate dhe sanatoriumin Topolshica. Por kjo nuk e ndaloi Zogoviqin që të vazhdojë të punojë gjatë trajtimit (shërimit) të tij. Në vitin 1939, së bashku me Velibor Gligoriq, ai ishte nismëtar dhe redaktor i revistës “Arti dhe kritika”. Ai ka bashkëpunuar në revista të shumta me emrin e tij dhe me pseudonime, në: Stozher, Letërsia, Realiteti ynë, Letërsia bashkëkohore, Zëri bashkëkohor letrar, Rishikimi, Revista, Jeta dhe vepra, Jugosllavia e Re (Stožeru, Literaturi, Našoj stvarnosti, Književnom savemeniku, Savremenom književnom glasniku, Pregledu, Životu i radu, Nova Jugoslavija). Pas bombardimeve të prillit në Beograd, ai u kthye në Mal të Zi, u bë anëtar i komandës kryengritëse të rrethit të Andrijevicës, pastaj, së bashku me Veselin Masleshën dhe gruan e tij Vera, botoi gazetën hektografike Liria (Sloboda) në malin Konjsko.
Në manastirin Moraça, ai punon në selinë e detashmentit të Komit, ku shkroi një këngë për nder të fitoreve Sovjetike në Moskë. Ishte pjesëmarrës në Luftën nacionalçlirimtare dhe revolucionin që nga viti 1941. Gjatë dhe pas luftës (deri në fund të vitit 1948), mbajti funksione të ndryshme partiake dhe shoqërore të përgjegjshme. Ishte anëtar i Akademisë Malazeze të Shkencave dhe Arteve. Ai ishte ndër pjesëmarrësit e parë në organizimin e institucioneve kulturore dhe arsimore, organizimin e shoqatave kulturore, inicimin e revistave të ndryshme, shtëpive botuese, vendosjen e themeleve të filmit jugosllav, organizimin e kongresit themelues të Unionit të shkrimtarëve të Jugosllavisë, ishte nënkryetar për bashkëpunimin kulturor midis Jugosllavisë dhe BRSS, Jugosllavisë dhe Bullgarisë, Jugosllavisë dhe Shqipërisë, po ashtu anëtar i Asamblesë së Republikës Popullore Federale të Jugosllavisë, ishte udhëheqësi kryesor në kongresin themelues të Bashkimit të shkrimtarëve dhe në kremtimin e njëqindvjetorit të Gorski Vijenac (Kurora e maleve). Puna e Zogoviqit ishte shumë e gjerë dhe plot angazhim, gjë që ai vetë e konfirmon: “Prej atëherë e deri në 1948, kam kryer aq shumë e kaq shumë punë të ndryshme, saqë sidomos në fillim, ditët duheshin zgjatur të paktën deri në 30 orë… “ [4]
Si botime të veçanta, botoi: Pëllumbat e flaktë (Plameni golubovi), poezi, Libri i ri (Nova knjiga), Zagreb në 1937; Në fushë të mejdanit (Na poprištu), artikuj, polemikë, kitike, ese…, Kultura, Beograd 1947; Strofat krenare (Prkosne strofe), poezi, Kultura, Beograd 1947; Ardhësit – këngët e Ali Binakut (Došljaci – pjesme Ali Binaka), botim i autorit, Beograd 1958; Fjala e artikuluar (Artikulisana riječ), poezi, Prosveta, Beograd 1965; Peizazhi dhe diçka po ndodh (Pejzaži i nešto se dešava), tregime, Prosveta, Beograd 1968; Rrënjëve për gur (Žilama za kamen), përzgjedhje nga poezija, Grafički zavod (Enti grafik), Titograd 1969, biblioteka Lluça, përgaditur me parathënije e pasthënije nga Vasilije Kaleziq (Vasilije Kalezić) ; Poezia epike malazeze në kohë të ndryshme (Crnogorske epske pjesme raznih vremena), antologji, Grafički zavod (Enti grafik), Titograd 1970; Personalisht, krejt personalisht (Lično, sasvim lično), poezi, Prosveta, Beograd 1971; Zyra e princit (Knjaževska kancelarija), poezi, Pobjeda, Titograd 1976; Nata dhe gjysëmshekulli (Noć i pola vijeka), tregime, Matica srpska, Novi Sad 1978; Usputno o nezaobilaznom , studime dhe rishikime, Crnogorska akademija nauka i umjetnosti (Akademia Malazeze e Shkencave dhe Arteve), Titograd 1983; Tregime, përzgjedhje, Pobjeda, Titograd 11985, biblioteka Lluça, (përgaditi Millorad Stojoviq).
Ndër të tjera, Zogoviqi pati një sukses të madh në përkthim. Ai përktheu nga rusishtja dhe maqedonishtja: Forma Gordejev, roman i M. Gorkit: Jeta e Matvej Kozhemzakin, roman i M. Gorkit (së bashku me Miro Çehov); Najezda, dramë nga L. Leonov; Tregime të shkurtra nga A. P. Çehov; Vrlo dobro, bolje tanje a bolje na sav glas V. Majakovskog (Shumë e mirë, më e hollë dhe më mirë me zë të lartë nga V. Majakovski) , Poezi nga B. Koneski (zgjedhja e D. Mitrev); Antologji e poezisë bashkëkohore maqedonase (e zgjedhur nga D. Mitrev) dhe shumë vepra të tjera.
Si student, ai ishte anëtar i lëvizjes revolucionare, dhe që nga ditët e para, Zogoviq ishte pjesëmarrës në Luftën nacionalçlirimtare, dhe shpesh persekutohej dhe arrestohej për këtë. Ai ishte një intelektual i angazhuar dhe i përkushtuar së bashku me një grup krijuesish malazezë që filluan luftën për emancipimin kombëtar dhe kulturor. Zogoviq ka një opus të gjerë të krijimtarisë letrare dhe një numër të madh veprash, si poet, tregimtar, romancier, historian letrar, përkthyes dhe eseist. Kështu, kjo luftë revolucionare la gjurmët e saj në poezi dhe ndikoi në formimin e saj ideologjik dhe estetik.
Zogoviq barazohet me poetë të tillë si Skender Kullenoviq dhe Oskar Daviço (Skender Kulenović, Oskar Davičo) dhe nuk është rastësi që ata të gjithë ishin poetë të revolucionit – që kanë një imagjinatë të fortë gjuhësore..[5] Këngët e tij kanë vlera të jashtëzakonshme në të cilat theksohet gjuha zanore, freskia e stilit dhe mjeshtëria e vargjeve. Këngët e tij nuk përcaktoheshin nga asnjë program apo direktivë, kështu që të gjitha vlerat e tij u manifestuan në stilin e lirë. Ai këndonte më së shumti për natyrën, atdheun, dhimbjen, atmosferën e përditshme dhe në atë mënyrë ringjalli kujtimet nga rinia dhe mendimet elegjiake, për fatin e tij etj.
Siç e kemi përmendur, Zogoviq veproi në mënyrë shumë domethënëse në letërsinë e mes luftërave, duke vendosur parime dhe vlera të reja poetike së bashku me shkrimtarët e tjerë. Këta intelektualë kanë krijuar një shkëputje nga tradita dhe konceptimet tradicionale që në të njëjtën kohë sjellin mjete të reja shprehëse. Para së gjithash, Zogoviqi luftoi për eleminimin e marrëdhënieve me mentalitetet letrare qytetare, ai kontribuoi në krijimin, promovimin dhe sqarimin e lëvizjes së letërsisë dhe mendimit social.
Në vitin 1938, Jovan Popoviq (Jovan Popović) pohoi për Zogoviqin, “se ai është autor, i cili është në kuptimin e plotë një poet i sotëm”. “Besnik ndaj parimeve të tij të luftimit, përshkrimit artistik të poezisë dhe realitetit.”[6] Në vitet tridhjetë, Zogoviqi ishte iniciatori më i qëndrueshëm i letërsisë sociale, të cilën ai e quajti si realizëm socialist dhe deri në fund të jetës së tij mbajti të njëjtin qëndrim që letërsia duhet të angazhohet shoqërisht.[7]
Në fund të dekadës së tretë të shekullit të 20-të, ai do të mbahet mend për “konfliktin në të majtën letrare” në lidhje mbi ligjërimin dhe estetikën e letërsisë bashkëkohore.
Në këtë konflikt, Radovan Zogoviq ishte ndër akterët kryesorë, që debatuan me Mirosllav Krlezhën (Miroslav Krleža). Duke iu kundërvënë qëllimeve themelore të realizmit social, Krlezha tregon për dëmshmërinë e çdo disipline dhe kotësinë e luftës së klasave, pasi “burokracia shkatërron gjithçka” [8] Puna e Zogoviqit fillimisht fillon me atë që ai shkruan kryesisht vargje patriotike konvencionale, atëherë padyshim që në poezitë e tij ka pasur shumë ndikim Shantiq dhe poezitë e tij sociale, kështu që kur jetoi në Tetovë ai lexoi poezitë e Shantiqit dhe futi motive dhe tema shoqërore në poezitë e veta, duke shkruar për të varfërit urbanë, poezi për pluguesit dhe mbjellësit, duke përshkruar peizazhe të natyrës. Në atë mënyrë, Zogoviq vepron si mbrojtës i poezisë sociale, të angazhuar dhe sugjestionuese, dhe pastaj rritet në një tekstshkrues të hollësishëm dhe subtil.
Siç kemi thënë, Zogoviqi është një person i angazhuar në disa drejtime, kështu që nga njëra anë ai ishte i angazhuar si një zyrtar dhe nga ana tjetër, si një poet dhe një luftëtar i revolucionit, që kërkon ta çlirojë njeriun nga kufizimet shoqërore ose kufizimet e çdo lloji.
Modelët (shembujt) poetik të Zogoviqit ishin Njegoshi dhe Majakovski, siç e kemi theksuar tashmë, dhe për shkak të pakënaqësisë me situatën e vjetër dhe kufizuese shoqërore dhe letrare, ai mbrojti një shkëputje me dogmat dhe idealet e së kaluarës, kundërshtoi konventat letrare, sistemet dhe traditat e vjetra, duke u përpjekur ta ndryshonte dhe ta lironte atë nga ato kufizime për një sistem shoqëror më të mirë dhe më të drejtë.
Strategjia kryesore poetike e Radovan Zogoviqit bazohet në hiperaktivizëm, rebelim dhe sfidë ndaj çdo kufizimi.” [9]
Vitet e një jete intensive letrare dhe politike, angazhimi dhe qëndrimi poetik e formësuan atë si një luftëtar të letërsisë malazeze dhe studiues të gjuhës.
Fuqia dhe fiksimi i tij luftarak ishte kombi, kultura dhe letërsia malazeze. Siç tha vetë Zogoviqi në një intervistë për revistën Titograd “Këtu” (Ovdje) në 1985: “Ekzistojnë baza, ndjenja dhe nevoja që me emrin e gjuhës me të cilën Malazezët shërbehen të fiksohet fakti historik i ekzistencës së kombit malazez dhe letërsisë malazeze.”. [10]
Bashkëkohësit e tij tregojnë se Zogoviqi është një frymë e fortë malazeze, sipas veçorive të tij poetike, sepse të gjitha veprat e tij burojnë nga tradita malazeze dhe vetë fjalori është i lidhur ngushtë me Malin e Zi. Ata i kushtuan vëmendje të veçantë faktit që të gjitha veprat e tij ishin shkruar në ijekavicë, gjë që u kritikua nga qarqe të ndryshme letrare dhe politike të Beogradit, dhe veçanërisht Aleksander Belliq (Aleksandar Belić) për respektin e tij si bazë e gjuhës malazeze. Padyshim, tek Zogoviqi vërejmë pasurinë e shprehjes gjuhësore dhe vlerën stilistike të gjuhës malazeze, duke shkruar me shprehje koncize, intertekstualitet dhe me të menduarit.
Në përgjithësi, Zogoviqi nuk është një poet që ikën nga tradita e tij, por mbetet i qëndrueshëm dhe besnik ndaj saj, duke zgjeruar jo vetëm fjalorin poetik por duke pasuruar gjuhën malazeze me shprehje të ijekavicës dhe shprehje sugjestive dhe angazhimi i tij reduktohet në një qasje dhe trajtim realist të temave historike dhe shoqërore.
Vdiq më 5 janar 1986, në Beograd dhe u varros në varrin familjar në Deçan.
Qëndrimet artistike dhe poetike të Zogoviqit
Siç e kemi thënë tashmë, natyra, shpirti, rebelimi i Zogoviqit si njeri dhe krijues, mbështetej në trashëgiminë letrare malazeze. Qëndrimet e tij ishin të qarta, të forta, të vendosura dhe të drejta. Sidoqoftë, ai kishte shumë kundërshtarë dhe në një moment, edhe miqtë dhe kolegët e tij prej kohësh u larguan nga ai.
Zogoviq botoi dhe shprehu qëndrimet e tij në shumë tekste kritike, të cilat u botuan gjatë dekadës së fundit para Luftës së Dytë Botërore, si dhe pas luftës. Në vitin 1937 ai shkruajti: “Romanca luftarake është një element përbërës organik i realizmit të ri”, ai besonte se një shkrimtar duhet të jetë trim, të portretizojë fenomene shoqërore, ngjarje, të zbulojë mashtrime që përmbysen në formën e “bashkëpunimit” të klasave që është një mjet frenimi i vullnetit revolucionar për të ndryshuar marrëdhëniet shoqërore shfrytëzuese.
Në krijimin e literaturës sociale në vendin tonë, ai kërkoi përshtatshmërinë e vlerave artistike. Sa u përket qëndrimeve për veprat artistike, Zogoviqi mori një pozicion të përfaqësuar tashmë duke përshkruar realitetin dhe botën e tij subjektive, e cila ishte thelbësore për letërsinë, sepse janë pikërisht idetë dhe qëndrimet e tij që në këtë kontekst zënë një vend të rëndësishëm. Zogoviq i përmblodhi këto qëndrime në librin “Në fushë të mejdanit” (Na poprištu), një libër që përmban kritika dhe polemika si dhe artikuj dhe studime letrare e politike. Duke marrë parasysh që ai shkroi në kohë dhe kushte shumë të vështira nga viti 1935 deri më 1947, ky libër përmban tekste shumë të rëndësishme.
Përmbajtja e pjesës së madhe të këtij libri janë, ese letrare, kritikë letrare, polemikë, pamflete, ngjarje lufte, konflikte ideologjike, ndërsa në segmentin e dytë të librit mund të gjejmë artikuj politikë, margjinale dhe recensione ushtarake.
Me tekstet e tij, ai argumentoi në mënyrë kritike dhe iu përgjigj akuzave publike që pësoi nga kolegë dhe kundërshtarë të ndryshëm, si, Pavletiq, Llasiq, Llukiq, Krlezha (Pavletić, Lasić, Lukić)…
Zogoviqi hodhi poshtë “modernizmin formalist”, duke shkruar vargje pa shkronja të mëdha dhe shenja pikësimi. Në pikturë dhe skulpturë, ai hodhi poshtë marrëzitë dhe truket e modernizmit formalist. U është drejtuar shkrimtarëve socialë që u mungonte talenti, ai tha se kjo ishte arsyeja që ata nuk mund të “shohin botën nga idetë e tyre” dhe të japin një pamje të realitetit objektiv.
“Radničke novine” (Gazeta punëtore) e Beogradit, si të gjitha gazetat qytetare dhe mes-borgjeze të asaj kohe, merreshin me punën sipërfaqësisht derisa u zhvillua kur filloi puna serioze për shpjegimet shkencore dhe të përparuara të koncepteve të artit dhe letërsisë. Mbi mendimin e M. Rosental ishte një sulm nga ana e tyre, në marrëdhëniet kontradiktore dialektike të konceptimeve të artistit dhe metodave dhe praktikave artistike të shkrimtarëve në të kaluarën. Në atë aspekt, sigurisht që ka një sulm ndaj mbrojtjes së Zogoviqit për thelbin e mendimit të Rozental. Në shënimin “A i pasqyrojnë artistët reflektimet” (botuar në numrin e tretë të “Artit dhe Kritikës”), Zogoviq mbrojti idenë se shumë shkrimtarë të mëdhenj të së kaluarës krijuan veprat e tyre të pavdekshme, pavarësisht nga kuptimet e tyre politike dhe të tjera dhe simpatitë e klasave, në saje të metodës së tyre artistike reale dhe një përpjekje e përgjithshme pasionante për t’i shërbyer njeriut dhe njerëzimit.[11]
Në vitin 1968, ndodhën demonstratat e para kundër autoriteteve të Jugosllavisë së atëhershme dhe në atë kohë disa qarqe intelektuale vendosën të mos ndalen në pjesën verbale të kritikës, por të dënonin Zogoviqin dhe qëndrimet e tij revolucionare mbi rolin shoqëror të letërsisë, si një nga përfaqësuesit e realizmit të ri. Shkrimtari Vlatko Pavletiq (Vlatko Pavletić) gjithashtu botoi një sulm ndaj qëndrimeve dhe dënimeve të veprës së tij në kulturë në tekstin “Pushtimi i lirisë” (Osvajanje slobode), duke u nisur nga teza se lulëzimi i letërsisë kroate u ndal pas Luftës së Dytë Botërore, se shkrimtarët i ishin nënshtruar “dogmës staliniste të artit si derivatet e ideologjisë dhe politikës”. Ai thotë se në rolin e Zhdanovit në Jugosllavi, “u shfaqën disa personalitete të ndryshme, midis të cilëve kishte edhe të talentuar, si p.sh. Marin Franiçeviq dhe Radovan Zogoviq” [12] Ai e sulmoi Zogoviqin dhe e qortoi për tekstin “Primjer kako ne treba praviti Primjere književnosti” (Shembull si nuk duhet të bëhen Shembuj të Letërsisë). Me këtë tekst, Zogoviqi qortoi organizatorët dhe Ministrinë e Arsimit pse disa autorë u përfshinë në letërsi, libra shkollorë, ndërsa të tjerët jo. Dhe Zogoviq jep emra dhe krahason ata dhe poetikën e tyre dhe tiparet e poezisë dhe teksteve të tyre, me këta autorë që nuk ishin përfshirë si pjesë e materialit mësimor, dhe thotë se ata janë më të mirë se ata që i kanë vënë. Për shembull, duke dhënë një vlerësim negativ të poezisë së Tin Ujeviq, Zogoviq kishte kundërshtime të drejtuara ndaj redaktorit V. Zaninoviq për përfshirjen e Ujeviqit në shembuj, kurse Gustav Krklec jo. Dhe thotë: “Për shembull, duke thënë një vlerësim negativ të poezisë së Tin Ujeviqit, Zogoviqi kishte kundërshtime ndaj redatorit V. Zaninoviq për përfshirjen e Ujeviq në shembuj dhe Gustav Krklec për jo. Dhe thotë: “një nga poetët më të rregullt dhe interesantë modernë qytetarë kroatë, nuk është as në planin mësimor dhe as në antologjinë e Zaninoviq. Nuk është Krklec, por Tin Ujeviq, i cili nuk është më i talentuar se Krklec, por është pakrahasueshmërisht më i errët, më dekadent dhe reaksionar se ai, u soll në mënyrë të pakrahasueshme më keq se ai në luftë, – përfshirë në programin mësimor dhe në antologjinë e Zaninoviq (me gjashtë poezi dhe një fragment prozë) ” [13] Zogoviq gjithashtu theksoi se kemi praninë e misticizmit tek Ujeviq dhe se poezia e tij është e çuditshme.
Zogoviqi në këtë tekst Shembuj se si të mos bëhen “Shembuj të letërsisë” diskutoi dhe ishte kritik ndaj analizimit të teksteve nga pikëpamja letrare dhe ideologjike, duke vlerësuar korrektësinë e zgjedhjes së autorëve dhe letërsisë që duhet të përfshihet si pjesë e planit mësimorë në librat shkollorë dhe tekstet shkollore. Ai gjithashtu vëren se organizatorët mohuan literaturën reale paraluftarake dhe aktivitetet e tyre çlirimtare. Ai më tej tërhoqi vëmendjen për lëshimet e Josip Shkaviqit, i cili është bashkëpunëtori i Zaninoviqit dhe i cili dha një përmbledhje të historisë politike dhe kulturore të popujve tanë midis dy luftërave, si dhe rëndësinë dhe rolin e PKJ (Partia Komuniste e Jugosllavisë) në zero, duke e përmendur atë vetëm kur tha u detyrua në paligjshmëri.
Zogović u shpreh i kundërshtuar për faktin se Vladimir Vidriq (Vladimir Vidrić) u përfshi në Shembuj, ndërsa për Jovan Duçiq (Jovan Dučić) nuk ka vend, megjithëse, siç thotë Zogoviq, ai është “një poet i pakrahasueshëm më i madh se Vidriq, por jo një tradhtar më i madh se Ujeviq”[14]
Kështu, ai përjashtoi ndarjen e letërsisë së bërë në Shembuj, në letërsinë mes luftërave dhe letërsinë e luftërave, sepse ai beson se letërsia e përparuar mohohet.
Në tekstin Formalizmi dhe subjektivizmi nën Maskën e përparimit, në 1940, ai jep mendimin e tij dhe paraqet qëndrimet e tij mbi artin, në të njëjtën kohë duke iu përgjigjur pyetjeve të Joveta Miloviq në lidhje me angazhimin e artit. Ai arrin në përfundime të përgjithshme në lidhje me artin, se nuk ka art të djathtë dhe të majtë dhe se teza të tilla kërkojnë të likuidojnë ose eliminojnë artin si një mjet për të njohur dhe ndryshuar botën. [15] Ai gjithashtu thotë se “arti nuk është vetëm një “koncept”, por edhe një realitet specifik, një realitet estetik i cili, përsëri, jo vetëm që është “i këndshëm për syrin”, por edhe një njohuri artistike për botën, dhe një organizator, mësues dhe ringjallës i njeriut dhe njerëzimit ”. .[16] Dhe kështu ai arrin në përfundimin se përkatësia klasore e artistëve gjithashtu ndikon në krijimtarinë, dhe se estetika tregon një nga dy llojet e ideologjisë: “të prapambetur dhe të përparuar”.
Në atë tekst, ai shkruajti se “arti vetë-përparues i partisë së sotme përmban elemente të një të ardhmeje objektivisht të bukur dhe të vërtetë, e të gjithënjerëzishme”.
Stanko Llasiq vlerësoi negativisht një mendim të tillë, sepse ai neglizhoi që një qëndrim i tillë detyroi ngjarje tragjike për shumë kombe evropiane, ai tekst u shkrua nga Zogoviqi në një kohë kur shtetet evropiane po binin para ushtrive fashiste. Llasiq më tej arrin në përfundimin se letërsia shoqërore u afrua në një mënyrë të vetë – kënaqur, duke e proklamuar kështu veten si një mjet të fuqishëm të luftës revolucionare. Përpjekja për të ulur vlerën duke kritikuar librin “Në fushë të mejdanit” (Na poprištu) si një studim problemtik dhe kritikues duke pohuar se ai është realizëm socialist, i shënuar nga dënimi dhe jep shembullin e librit të përmendur nga Radovan Zogoviqi. Ndër të tjera, Llasiq gjykoi tekstin Shembuj se si të mos bëhen “Shembuj të letërsisë”. Ai beson se qëndrimet e Zogoviqit janë shumë problematike dhe të papranueshme.
Kritikët njëzëri nënçmojnë dhe kritikojnë qëndrimet e Zogoviqit pa ndonjë argument serioz dhe në fund mendojnë se qëndrimet e tij mbi letërsinë i jepnin karakter “partiak”, megjithëse ai padyshim që përqendrohej kryesisht në sferat kulturore, letrare, shoqërore dhe morale dhe sigurisht në ruajtjen e interesave të shtetit. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se arsyeja dhe shënjestra e të gjithë kritikëve ishte Zogoviq, sepse punonte dhe ishte anëtar i Agitprop dhe censurës, që do të thoshte për ta se Zogoviq duhej të punonte sipas direktivës së dikujt ose siç thonë ata “për t’i shërbyer revolucionit”.
Në një rast, Zogoviqi u përgjigj drejtpërdrejt në replikën e tij ndaj paragjykimeve të ashpra të Llukiqit për të, duke thënë se ato ishin “të pavërteta, historizëm i verbër ose verbërisht tendencioz, absurditete, shtrembërime, thjeshtime dhe stereotipa”.
RRETH VEPRËS ARDHËSI T – Këngët e Ali Binakut
Botimi i edicionit të parë, botimit të plotësuar dhe përkthimit në gjuhën shqipe
Vetë autori në përmbledhjen “Strofat krenare” (Prkosne strofe) veprën Ardhësit-këngët e Ali Binakut e quan cikël, por ne gjithashtu mund ta përcaktojmë atë për nga zhanri si poemë. Ai thekson se është “dokument lirik…protestë ezopike kundër politikës së madhe Serbe të heqjes së drejtës…trashëgimisë shqiptarëve në Metohi dhe Kosovë”[17], i cili flet për vuajtjet e popullit shqiptar.
Botimin e parë të Ardhësve e botoi në “Realiteti ynë” (Naša stvarnost) të Beogradit, në 1937, të cilin e shkroi në sanatoriumin Klenovik, në Zagorje të Kroacisë.[18]
Në vitin 1958, shtypi poezinë e tij të përpunuar dhe së bashku me Desanka Maksimoviq, “e shpërndau” në libraritë e Beogradit që pranuan librin, por pas tri ditësh, e tërhoqën nga shitja.[19]
Poezitë e Ali Binakut i përktheu në gjuhën shqipe në 1968 përkthyesi i njohur shqiptar nga Plava, Esad Mekuli, i cili gjithashtu dha një kontribut të madh në përkthimin nga gjuha malazeze në gjuhën shqipe. Mekuli është një shkrimtar dhe redaktor i mirënjohur i revistës më të famshme në gjuhën shqipe “Jeta e Re”, e cila u themelua në vitin1949.[20]
Këto këngë kontribuan në mënyrë të rëndësishme në mirëkuptimin midis shqiptarëve dhe malazezëve, të cilët përjetuan një jetë po aq të vështirë në Kosovë gjatë monarkisë Karagjorgjeviq. Afrimi i shqiptarëve dhe malazezëve, të cilët pa dyshim kanë të njëjtin mentalitet, është pikërisht meritë e Mekulit sepse ai përktheu një vepër në lidhje me popullin shqiptar dhe tregon se një shkrimtar malazez shkruajti për ta.
Poema përbëhet nga një fragment lirik brenda kufirit të prologut të tekstit dhe njëmbëdhjetë tërësive poetike. Është e frymëzuar nga jeta e shqiptarëve të Rrafshit të Dukagjinit (Metohisë) dhe Kosovës që në vitet 30-të pësuan shtypje, poshtërime të ndryshme, vuajtje dhe mjerime. Këngët e Ali Binakut lindën nga nevoja për rebelim dhe dëshira për të mbrojtur popullin shqiptar dhe njeriun e poshtëruar.
Dhembshuria e Zogoviqit për vuajtjet njerëzore, mjerimin, vuajtjet dhe papajtueshmërinë ndaj padrejtësisë, dhunës dhe persekutimit njerëzor janë temat mbizotëruese të poezisë së tij. Prandaj, poezia e tij në thelb mbart dhimbje dhe në thelbin e saj mund të gjejmë rezistencë dhe rebelim kundër dhunës dhe së keqes kundër njeriut, çnjerëzimit dhe dëbimit të shqiptarëve në Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit. Kjo është arsyeja pse poezia e tij dhe poezitë e Ali Binakut përfaqësuan arritjen më të madhe artistike të lirikës malazeze në mes të dy luftërave.
Në këtë mënyrë dhe përmes kësaj vepre Zogoviq bëri një përpjekje për të sqaruar dhe ndriçuar mentalitetin shoqëror me mendime dhe paragjykime të gabuara ndaj shqiptarëve dhe kombeve të tjera. E gjithë kjo konfirmon faktin se ai ishte shumë i angazhuar shoqërisht dhe se ai theksoi vuajtjet njerëzore të një kombi tjetër.
Prandaj, si një poet origjinal dhe i dhembshur që portretizoi ngjarje të vërteta dhe dha imazhe realiste të një jete torturuese dhe përmes ngjarjeve të tmerrshme që ai vetë pa, qëndroi në anën e shqiptarëve, ndaj të cilëve serbët ishin mizorë dhe të pashpirt.
Shumë shkrimtarë dhe kritikë letrarë kanë shkruar për krijimtarinë e poetit, si Mihaillo Llalliq, Stefan Raiçkoviq, Dushan Kostiq, Branisllav Petroviq, Sllobodan Kaleziq (Mihailo Lalić, Stevan Raičković, Dušan Kostić, Branislav Petrović, Slobodan Kalezić) dhe të tjerë.
Një nga interpretuesit e letërsisë mes luftërave, Radomir Konstantinoviq, kundërshtoi vlerat e “Ardhësve – Këngëve të Ali Binakut” të Zogoviqit, duke kundërshtuar përsëritjen e zymtë, melosin folklorik, ndryshimin e vazhdueshëm të të njëjtave motive dhe simboleve, etj. Gjithashtu, Marko Ristiq kundërshtoi dhe shprehu një qëndrim negativ ndaj poezisë së përmendur dhe ndaj tërë poezisë së Zogoviqit. Ka disa individë që u përpoqën t’i jepnin një notë të keqe në çdo aspekt Zogoviqit, dhe veçanarisht poezisë sepse e përjetuan shumë si “këngë antiserbe”. Nga ana tjetër, ka nga ata që vlerësojnë dhe çmojnë në mënyrë të drejtë si poezinë, ashtu edhe vetë ciklin dhe japin një notë të lartë duke u marrë në thelb me të vërtetën dhe vlerat letrare të asaj që shkroi Zogoviq, si dhe arsyet e shkrimit të tij. Për shembull, shoku i Zogoviqit, Mihailo Laliq, ishte ndër të paktët që tha se ai i përjetoi “Ardhësit” si një pikturë artistike “për tiraninë e përgjithshme”. Ndër ata që e karakterizuan pozitivisht këtë cikël ishin edhe Arso Milatoviq dhe Miroslav Krlezha, të cilët besuan se kjo poezi do të mbetej në trashëgimi dhe se do t’i mbijetonte asaj periudhe.
Në thellësi këto këngë janë shumë prekëse, sepse ato tregojnë vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe terrorin e regjimit të atëhershëm që u krye mbi ta. Ata realizuan planet e tyre për “çështjen e arnautëve” ose “çështjen shqiptare”, që për fat të keq nënkuptonte spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova, kur dhjetëra mijëra shqiptarë emigruan në Turqi ose diku tjetër, dhe për këto arsye, u morën masat që i planifikuan politikisht dhe që i referohen vendosjes së malazezëve dhe Hercegovinëve në ato zona në mënyrë që t’u merret gjithçka atyre dhe t’i dëbojnë nga vendi i tyre. Regjimi i atëhershëm siguroi shumicës së kolonistëve malazezë dhe hercegovinas tokën, shtëpitë, etj. Në një farë mënyre, njerëzit në këtë rast janë përdorur për arritje politike, pra, populli i një kombi për zbatimin e planeve politike të regjimit kundër një kombi tjetër.[21] Megjithatë, nuk ishte ashtu rasti me familjen e Zogoviqit, sepse familja e tij nuk i kishte ato privilegje, por atyre iu desh ta blinin tokën vetë për të jetuar. Duke kuptuar këto fakte dhe këto lojëra, Zogoviqi, si një i ri që u formua dhe që kishte ndjenja trishtimi dhe keqardhjeje për atë që u bëhej të tjerëve, ai ishte në anë të dobëtit, në anë të njerëzve të keqtrajtuar, të dënuar, të shtypur dhe të diskriminuar nga politika serbe dhe jo në anën e të fortit që kishte fuqinë dhe që me ndihmën e politikës torturonin njerëzit e tjerë. Për të njëjtën arsye, Zogoviqi përballet me kritika të ndryshme, ai është i kritikuar dhe i padëshirueshëm vetëm për shkak të qëndrimit, mendimit dhe për shkak të kësaj poezie me të cilën kemi të bëjmë, dhe mund të thuhet edhe sepse ishte në anën e drejtësisë. Ai mori titullin tradhtar, megjithatë, të gjitha këto nuk ndikuan fare në të si njeri, përkundrazi, ata e forcuan edhe më shumë për të qenë në krah të drejtësisë dhe për të luftuar për idealet e tij.
Zogoviqi është një shkrimtar dhe poet realist, i cili e formësoi realitetin në një mënyrë realiste dhe të qëndrueshme. Për të, një tipar shumë i rëndësishëm ishte përshkrimi i jetës reale dhe ngjarjeve reale pa u rrëmbyer nga metodat ideologjike dhe dekorative. Megjithëse në kohën kur ai po krijonte, u shfaqën stile, teknika dhe metoda të ndryshme të të shkruarit dhe shprehje për kohën, njerëzit dhe ngjarjet, edhe atëherë ai nuk hoqi dorë nga stili dhe mënyra e tij e të shkruarit, dhe kjo është diçka që karakterizon punën e tij. Ai besoi në vetvete, në frymën e tij poetike që e përcakton, gjë që është ajo që kritiku i famshëm letrar Vojisllav Miniq (Vojislav Minić) tha se Zogoviqi ndjeu me qenien e tij krijuese se këndimi dhe jetesa përfaqësojnë një akt moral të së njëjtës shkallë të justifikimit dhe domosdoshmërisë.[22]
Atë si autor e karakterizojnë edhe nga parimet poetike-etike që janë kryesore dhe të rëndësishme për veprën e tij. Këto janë dy parime ose kulte që ai i respektoi, i ruajti dhe punoi duke u bazuar në to. Mendimi mund të merret si një parim shpirtëror-poetik ose parimi i fjalës që e detyron në veprën, si një parim etik.
Analiza e veprës Ardhësit – Këngët e Ali Binakut
Zogoviq e shkroi këtë vepër artistike kundër padrejtësisë që i është bërë një kombi nga ana e autoriteteve të atëhershme. Këngët u krijuan si rezultat i padrejtësisë dhe shtypjes jo vetëm të heroit lirik Ali Binaku, i cili portretizohet si përfaqësues i një fisi që pëson dhimbje dhe katastrofë, por edhe i mbarë popullit shqiptar në Kosovë.
Autori ndjeu nevojën të ankohej dhe të ishte mbrojtës i të drejtave të popullit shqiptar, të cilit i ishte bërë padrejtësi e madhe. Ai ishte gjithashtu një kundërshtar i atij regjimi midis dy luftërave. Në këtë mënyrë, këngët lindën nga dhimbja dhe pikërisht nga realiteti të cilit ai i përkiste dhe nga ngjarjet aktuale me një përshkrim të gjerë dhe të thelluar.
Në studimin e tij “Temat malazeze”, Vladimir Vojinoviq thotë: “Duket se Zogoviq, përkundër gjithçkaje, e kupton mirë rolin e letërsisë duke përshtatur temën e vuajtjes në momentin aktual, hapësirat, fjalët, ligjet e tyre etike dhe morale, bazuar në traditën që pikërisht nga ajo bën eliminimin, duke zgjedhur një formë specifike. Formën në shumë mënyra brilante të poezisë vajtuese. ” [23]
Siç kemi thënë, këto këngë janë provë e artit të madh, ato janë shumë të pasura me stil dhe përmbajnë figura të ndryshme stilistike që mund t’i vërejmë gjatë interpretimit. Ajo që i karakterizon është përshkrimi i realitetit. Ato janë kryesisht të ndërthurura dhe të ngjyrosura me trishtim dhe temat dominuese, si dhe motivet e këngëve të tij në përgjithësi janë natyra, liria, ambienti, kritika e padrejtësisë, dhuna, Mali i Zi, kombet, etj.
Me këtë vepër dhe poetikën e tij, Zogoviq shënoi marrëdhëniet midis realitetit dhe arritjeve artistike.
Rrjedhimisht mund të themi se motivet për të shkruar këngët dalin nga tradita gojore, gjithashtu edhe tradita e Njegoshit, ndërsa zhanri përfshin arritjen nga poezitë sociale deri tek ato përshkruese.
Tek Zogoviq, alegoria dhe metafora janë tiparet themelore të poezisë së tij, ndërsa stili, fjalori dhe forma janë origjinale, precize, energjike dhe e lirë, dhe natyra politike e mënyrës së tij të të menduarit, pra shfaqja e asaj që i përshtatet karakterit dhe pikëpamjeve të tij, është rebelim dhe sfidë. Duke u marrë me simbolikën, vërejmë se ai zakonisht gjen simbole në natyrë, ndërsa në gjuhën e poezisë ai zhyt veten në shpirtin e kombit, njeriut, ndjenjave, mendimeve dhe të kohës. Mund të themi se me poezi dhe guxim ai portretizoi dogmatizimin e ideologjive politike, tragjedinë e njeriut dhe vetminë e tij kur përballej me ato ideologji gjatë jetës së tij, të cilat ai i përbuz.
Kjo vepër është një dëshmi se poeti ka mbrojtur gjithmonë të drejtën e fjalës dhe përmes këtij libri ai e ka vendosur fjalën si rolin kryesor dhe armën më të fuqishme kundër regjimit. Ai gjithashtu mbrojti të drejtën për ëndërr, luftoi për jetën, të drejtat e njeriut, lirinë dhe të vërtetën. Tek ai bashkohen zëri i kuptimit dhe zëri i zemrës kundër dhunës. Siç thekson Pavle Goranoviq, Zogoviq vuri në dukje pamjen ciklike të historisë dhe vendosi një njeri në qendër të të kënduarit dhe të menduarit njeriun e shtypur shqiptar me dhimbjen e të cilit erdhi në jetë dhe la një gjurmë të qëndrueshme, jo vetëm në ndjeshmërinë e jashtëzakonshme poetike, por edhe në fatet dhe marrëdhëniet e dy popujve. [24]
Por Ali Binaku është personazhi kryesor dhe heroi lirik, ai është kreu i fisit, një plak i mençur dhe me përvojë, i cili na afron me principet me të cilat shkroi Zogoviqi, duke treguar anën e brendshme të karakterit, botën e brendshme dhe atmosferën që ndodh në të dhe vuajtjet dhe dhimbjen e tij të cilat i përjeton. Ai na afron aq shumë me atmosferën e dhimbjes, sa mund ta ndiejmë së bashku me personazhin kryesor dhe shkrimtarin.
Brendësia e personazhit tregohet në monologje, shkrimtari hyn në vetëdijen e personazhit dhe na tregon rrjedhën e mendimeve të tij, arsyet e vuajtjes së tij, etj. Na afron me mjedisin e tij, rrethin e familjes së tij, natyrën dhe atdheun në të cilin personazhi kryesor jeton. Ne kemi një përshkrim të humbjeve të shumta që ai pësoi, shumë situatave në të cilat zemra e tij ishte e ndarë në copa dhe ai nuk kishte fuqinë për të bërë ose ndryshuar realitetin. Ai përpiqet të gjejë momente të ndritshme në të kaluarën dhe të lutet që të jetë përsëri ashtu. Në këto segmente ne vërejmë motivet e besimit dhe shpresës tek të cilat njeriu kthehet edhe në momentet e dhimbjes më të madhe, frikës, pikëllimit etj. Duke besuar se gjithçka mbaron një ditë dhe se gjithçka merr fund, përfshirë dhimbjen e tij dhe dhimbjen e popullit shqiptar që duroi shkatërrimin e plotë dhe shkatërrimin mendor dhe fizik, maltretimet dhe vrasjet në mënyra të ndryshme që janë të treguara simbolikisht dhe përmes simboleve mitike, Ali Binaku gjurmon për një kuptim të ri të jetës që është e vështirë të vërehet në ato momente.
Siç mund ta shohim, poeti zgjodhi ngjarje nga jeta dhe i portretizoi ato përmes personazhit kryesor dhe fatit të tij. Ekzistojnë gjithashtu figura stilistike të tilla si metafora, metonimia, personifikimi, epifora, anafora, sinekdoka, simploka, asindeti, asonanca dhe aliteracioni, inversioni, gradimi, paralelizmi.
Poema është shkruar si në gjuhën liturgjike, po ashtu edhe në gjuhën e folklorit.
Në fillim të këtij cikli kemi një prolog ose një tekst të shkurtër në prozë që mund të themi se është një poezi në vete, ku personazhi kryesor Ali Binaku i vjetër është në një krizë ekzistenciale, hapësirë të mbyllur të errët dhe mot të vështirë, Ali Binaku nuk mund të ëndërrojë më “ëndrra iu thye Ali Binakut si një shtambë e thyer dhe netët janë bërë të vështira dhe të pafundme”, ai qëndron zgjuar duke menduar për të kaluarën dhe përparësitë e saj, prandaj këtu tregohet mënyra e jetesës shqiptare dhe ai krahason të tashmen me të kaluarën. Këtu shohim kufirin midis botës imagjinare dhe asaj reale si dhe përshkrimin e skenës shoqërore dhe shkatërrimin e botës së Ali Binakut, sepse për të ajo që po i ndodh mund të reduktohet në ndjenjën se fundi i botës është për të, sepse qeveria serbe, edhe pse këta aktorë janë të quajtur sundimtarë me një emër suptil, dëshiron të gërmojë gjurmët e tij, fisit dhe njerëzve nga Rrafshi i Dukagjinit…Shfaqet bota psikologjike e heroit, shqetësimi dhe pikturohet naracioni dhe nga ai kënd pasqyrohet prezenca e poetit. Me këtë prolog rrethohet ajo hapësirë ekzistenciale dhe imagjinare. Është e qartë se dikush po flet për personazhin kryesor këtu, dhe ky është zëri i poetit.
Në këto këngë janë të pranishme motivet biblike, folklorike dhe mitologjike. Mund të shohim që këngët nuk kanë emra por janë të numëruara (kënga e parë, kënga e dytë …). Atëherë një nga motivet e rëndësishme që vërejmë në këtë poezi janë motivet që lidhen me mënyrën e jetës në një mjedis patriarkal. Këngët gjithashtu kanë elemente dramatike, duke filluar nga komunikueshmëria dhe për faktin se që në fillim, në pjesën hyrëse, ne mund të kuptojmë se kush flet, për kë flitet dhe me kë flitet. Komunikueshmëria është gjithashtu e rëndësishme, sepse protagonisti flet me veten, atë botë të trilluar dhe ngjarjet brenda tij në vetëdijen e tij dhe në konflikt me veten, por është gjithashtu më shumë konflikt midis tyre dhe nesh. Miniq pretendon se poezitë e Ali Binakut janë “poezi patriotike që kanë fuqinë poetike të Dhjatës së Vjetër dhe bukurinë e shprehjes, një strukturë moderne kompozicionale, mendimin e fortë të Njegoshit për lirinë dhe të drejtën natyrore të njeriut për të”.[25]
Në këngët e përmendura vërejmë edhe funksionin e mallkimit,
Unë Ali Binaku – Të mallkoj në të gjitha deri tek fara e nuses” (Kënga e parë) ku mund të lidhemi me tekstin fillestar të prozës” kanë ardhur kohë të vështira, sundimtarë të fortë: ata duan të ua zhdukin gjurmët atij dhe fisit të tij nga Metohija … , këtu bëhet fjalë për zhdukjen e plotë të rrënjëve. Mallkimi në Këngën e parë i referohet gjendjes së çorientimit të plotë, gjendjes pas së cilës vijon një katastrofë e pashmangshme në botën e personazhit, por edhe në boten reale e që e vetmja mënyrë që njeriu t’i rezistojë padrejtësisë dhe dhunës dhe asaj errësire është mallkimi dhe besimi i njeriut në forcën magjike të fjalës së mallkimit, e cila daton që nga tradita gojore.
Kënga e parë nuk është në formën e prozës, por është e ndarë në strofa, ajo përbëhet nga gjashtë strofa.
Kënga e parë
Unë, Ali Binaku, numëroj tespitë e mia të shurdhëta
dhe me çdo kokërr të var në qafë varësen me gurë.
Unë, Ali Binaku –
Të mallkoj në të gjitha deri tek fara e nuses.
Përse, përse ma vrave
në çati lejlekun, zogun e shenjtë?
Në oxhakun tim i është falur Allahut,
në oxhakun tim ka puthur sqepat e bardhë
që si filiz nga copa e dheut shpuan lëvozhgën e vezës,
nga oxhaku im ka hapur në shtëpinë time degët e tij të bardha
dhe kurrë me krahë nuk e rrëzoi mollën nga dega,
dhe kurrë me sqep nuk e ka shpuar syrin e kuq të qershisë
(që të derdhet thalbi i kuq!) –
zogu i shenjtë!
Kur pushka e parë krisi mbi të –
i shenjti me sy të hapur ka shikuar çuditshëm;
kur ka krisur pushka e dytë mbi të, –
vetëm i është përdredhur qafa si lule e bardhë në erë;
kur ka krisur pushka e tretë mbi të, –
ka rënë prej oxhakut tim, i gjakosur,
mbi çatinë time…
Është natë. Hëna shikon e mërzitur mbi shqiptarinë dhe Metohinë.
Rri para oxhakut – mbi prush ka rënë hiri i gjelbër.
Gjithçka fle – dëgjohet vetëm kërcitja e tespive.
Mbi mua, në shtresën e zezë të myshkut në çati,
është shtrirë i vdekur zogu i shenjtë.
I bardhë dhe i gjakosur –i pikuar me gjak topi i borës,
i bardhë dhe i gjakosur – i shkrirë në gjak topi i borës.
Po ndjej, po dëgjoj:
nga streha
ime
pikon
gjak.
Kjo këngë është shprehje e dhimbjes dhe pikëllimit, ne vërejmë një adresim të drejtpërdrejtë gjaksorit së pari me një mallkim, pastaj me pyetjen retorike “Përse, përse ma vrave në çati lejlekun, zogun e shenjtë?”, Dhe lejleku i shenjtë është simbol i lindjes por nuk mund të lidhet me kohërat e vështira në të cilat ata duan të shkatërrojnë gjurmët e fisit të Ali Binakut. Duke përshkruar makthin e realitetit, përshkrimin e zogut të shenjtë që u vra në oxhakun e tij, Zogoviq simbolizon dhe lë të kuptohet për një katastrofë, një tragjedi në shtëpinë e tij. Ai zog i shenjtë zgjeroi shtëpinë e vet dhe gjeti strehë në shtëpinë e tij. Duke marrur parasysh se zogu është një simbol i engjëjve dhe paqes, i cili shoqërohet me lirinë derisa ata e vranë dhe i morën lirinë, e cila na rikujton dhunën, fundin e jetës dhe vuajtjet. Në strofën e katërt, kemi përsëritjen e trefishtë të vargut “Kur pushka e parë krisi mbi të”, atëherë përsëritja e trefishtë me gradime të tre foljeve, tre inversioneve, tre krahasimeve dhe tre fjalive (pushka e parë, pushka e dytë, pushka e tretë), kontrastet, çatia dhe e përgjakshme rimohen në mënyrë diagonale. Në strofën e pestë kemi personifikimin “Hëna shikon e mërzitur mbi në shqiptarinë dhe Metohinë”, dhe në dy vargjet e fundit vërejmë rimën “I bardhë dhe i gjakosur – i shkrirë në gjak topi i borës” dhe kontrastet e së bardhës dhe gjakosur, e bardha që simbolizon pafajësinë dhe pastërtinë ndërsa e gjakosur simbolizon krimin e tmerrshëm dhe pikimin e gjakut. Kështu, ne vërejmë praninë e kontrastit në fillim të strofës dhe në fund, në njërën anë nata dhe zogu i bardhë, në anën tjetër në të njëjtën kohë i bardhë dhe i gjakosur (metaforë). Në fund, pushka krisi, zogu i shenjtë u vra, nata nuk është e rehatshime dhe e qetë, por e përgjakshme dhe e dhimbshme, mbizotëron vetëm heshtja e ftohtë, në të cilën gjithçka fle, dëgjohen vetëm rruzarët dhe gjaku që pikojnë nga çatia.
Kënga e dytë
I rrëzuan gardhet e mia si drithin,
i shkelën gardhet e mia si drithë i rrëzuar;
i shkelën livadhet e mia të gjelbra
si rrushin.
Livadhi pranveror është si uji i pastër i gjelbër;
– dielli të mos e turbullojë me gishtat e tij;
livadhi i lulëzuar në të bardhë është si bora e parë,
– zogu të mos lërë gjurmë nëpër të;
era të mos shtrihet mbi barin e vesuar,
që të mos e përziejë!
I rrëzuan gardhet e mia posi drithin,
shkelën livadhet e mia si rrushin.
Këmba ime kurrë nuk ndali mbi gardhin e tij,
këmba ime nuk la kurrë gjurmë në livadhin e tij
(as atëherë kur bora në të ishte deri në gju!)
nuk hipi në gardhin e tij të brejë filizin e murrizit.
Në livadhin tim njëqind rrugë si mbi borën e vjetshme.
Dhe shiko, kaloi ai dje poshtë degëve të rënda të qershive,
u ndal e përdrodhi degën,
dhe në të, si në gjerdanin e këputur,
u drodhën dhe u derdhën margaritarët e kuq të qershive.
Dhe plaga ku u këput dega
u mbush plot gjak.
Një karakteristikë e rëndësishme e poezisë së Zogoviqit është inversioni dhe përsëritja dhe në fakt poeti e përdor atë për të zbuluar se çfarë po ndodh brenda Ali Binakut dhe rreth tij. Poema përbëhet nga pesë strofa, strofa e parë ka katër vargje, gjashtë e dyta, e treta dy, e katërta pesë dhe shtatë vargje strofa e fundit. Në këto këngë mbizotërojnë motivet biblike dhe “Vajtimet e Jeremisë”, sepse poeti gjithashtu pohoi se kur shkroi këto këngë ai kishte pranë Vajtimet e Jeremisë. Ai flet për shkatërrimin e kopshteve dhe drithërave që mbolli, për livadhet që i krahason me rrushin. Strofa e dytë përshkruan bukurinë e livadheve. Edhe livadhet edhe drithërat janë simbol i jetës që ata jetuan. Na u tregua një pamje e zonës ku ata punuan arat e tyre me mundin dhe punën e tyre, dhe në fund mundi i tyre u shkatërrua nga armiku.
Heroi (personazhi) lirik fatkeqësisht përjeton vështirë, shkatërrimin dhe shkeljen e bukurisë së livadheve. Foljet “i rrëzuan”, “nëpërkëmben”, “shkelën” është subjekti i lënë pas dore që nuk emërtohet por në fakt është kryersi i veprimeve të tilla. Vetë poeti thekson në Shënime, se ishte e ndaluar në Jugosllavinë e atëhershme: sikur Ali Binaku të kthejë goditjen, ndaj armiqve pa emër. Këto folje flasin për shkatërrimin e botës së Ali Binakut dhe shkatërrimin e gjithçkaje nga armiku d.m.th. nga ajo fuqi. Gradacioni gjithashtu thotë shumë për heroin lirik për dhimbjen e Ali Binakut, e cila rritet gjithnjë e më shumë në të. Më tej, tri krahasime “si kokërr”, “si kokërr e rënë”, “si rrushi”, siç thotë Baboviq, këto krahasime thonë se bota është “nga copëzat” ku është përshkruar me unitetin e kuptimit, gjithçka pasqyrohet në gjithçka, gardhet në drithëra e livadhet në rrush.[26] Por fjalët e Ali Binakut janë dukshëm të ritualizuara, sepse ne kemi shumë motive nga Bibla dhe të gjitha këto shprehje janë një mënyrë për të zbuluar kuptimin e përgjithshëm njerëzor të botës dhe emocionet e Ali Binakut.
Pra, peizazhet e natyrës u poetizuan dhe ajo fitoi një përvojë të thellë dhe të trishtuar. Në këtë këngë dhe në këngët e tjera, natyra gjithashtu ka karakteristika njerëzore, gjakderdhja e natyrës pëson shkatërrim sikur njeriu dhe qenia e tij e brendshme.
Kënga e tretë
O, natë,
a mos po kalojnë ushtritë mbi ura,
a thyen era degët e pemishtes sime,
mos thyen bora trarët poshtë çatisë?
Jo, nuk kalojnë ushtritë përmbi ura,
nuk thyen era degët e pemishtes sime,
nuk thyen bora trarët nën çati.
Por kali i tij shkatërron kallamboqin tim
Gjithë natën, gjithë natën…
E dëgjoj; po, makinat e topave po kalojnë nëpër misër;
thyhen fletët e kockave të kërcellit,
thyhen brinjët e njomë të gjetheve.
E dëgjoj – armiku i tërbuar në kthinën e bijës sime,
me gjunjë shkel mbi shtratin e saj të vajzërisë,
hungërin si qen poshtë fytit vajzëror.
Aty është; më shkel me thunder mbi eshtra!
Shkon ai përmes arës; pas tij bie kositja e parë.
Ai me buzë të lagëta prek majat e kallinjve të misrit,
këput me dhëmbë thithkën e kuqe të gjirit
dhe e kafshon;
nga dhëmbët i shkumon qumështi.
Mes darkës dhe meje shtrihet viti i mundimshëm,
ndërsa ai është gjithë natën mbi mua,
më shkel me thundër mbi eshtra!
Në këtë këngë ndiejmë se si subjekti lirik e ka të vështirë të durojë netët, ka makthe, ai ndjen ankth dhe siklet. Në strofën e parë, ai pyet “a mos po kalojnë ushtritë përmbi ura”, pra pyet veten a është ai armik ushtria që ia thyen pemishtet, ndërsa në strofën e dytë jep përgjigjen se nuk është ushtria. Pra, ai dëgjon gjatë gjithë kohës që dikush po kalon nëpër arat e tij dhe i thyen gjithçka, por ai nuk mund ta përcaktojë armikun, sepse sikur ai është atje dhe nuk e sheh, në fakt ai ka hyrë në të. Ky është një përshkrim i një tirani, një dhunuesi ose një armiku që hyn në pemishtet e tij dhe thyen frytet. Dhe ajo që është shkatërruese është se ai përdhunon vajzën e tij dhe e mbyt atë dhe i shtyp brinjët. Këtu, armiku nuk konkretizohet, sepse ai thotë se nuk është ushtri, por natyrisht, tiran është çdo njeri që bën dhunë. Për të arritur një efekt më të fortë, autori përdor procedurën e përsëritjes së vargut të strofës së katërt dhe vargut të fundit të strofës së fundit “ai më shkel me thundrën e tij në brinjë”. Përveç kësaj, ne kemi përsëritjen “E dëgjoj”. Përbëhet nga gjashtë strofa, strofa e parë dhe e katërt kanë katër vargje secila, strofa e dytë dhe e pestë nga pesë, dhe e treta dhe e fundit nga tri vargje.
Kënga e katërt
As shirat nuk e mbulojnë tokën, as gjumi shpirtin.
Edhe gjethet gjithë natën fëshfërijnë për zhurmën e vesës së shiut
dhe buzët e thara që ëndrra të ushtojë si rrebesh…
Gjëmo, duhi, në degën e arrës, gjëmo,
laje ndryshkun nga mollët, lagi sqetullat e misrit,
gjallëro çatitë, vaditi livadhet e shkelura,
mbushi shtambat e burimeve dhe përmbysi.
Gjëmo, o i butë! Dhe unë do të fle, ndërsa ti gjëmo
dhe luhatma deri në agim degën nën dritare,
porsi djepin ma përkund.
Por, pse të gjëmosh, përse të ma luash degën?
A thua se në mëngjes do të shoh rërën e shpërlarë në rrugë
dhe turmat e pazarit, si dyndje të gëzuara?
A do t’i shoh qetë me brirë të lagur
dhe qerret pas tyre të mbushura me fasule të bardha,
dhe fasulet e rrugës – sedefe nëpër drurë?
A do t’i shoh kuaj të bardhë shale
kur guaskat e thundrave t’i shpërndajnë nëpër zall
dhe xinglojnë me pajimet, e këmbësoret i ngacmojnë me buzë,
ndërsa pasqyrat e imta të frerëve gjakovarë
hedhin flutura të bardha
mbi degë të arrës,
në dritaret e vashave?
Si mund të fle? Çfarë të shoh zgjuar?
A pemishtet tona, ku as qengjat nuk i kemi lëshuar,
ndërsa tani i ndyjnë derrat e bagëtitë e ardhësve?
A dua në kalemat e shartuar, të cilët as juga nuk i përkuli,
ndërsa tash i thyejnë dhitë dëmtuese të ardhacakëve.
A dua në rrugët e pazarit, ku shqepojnë qetë e zbathur
dhe qerret ciasin, rrotat lëkunden?
A dua në kalorësit e rrallë e kuajt e shalës
prej të cilëve këmbësorët e zbathur fshehin këmbët në kanal?
A dua në njerëzit, armëtarët dhe kosëtarët,
me duqit rreth qafe,
me vargjet e specave në krahë?
Përse të gjëmosh, përse të ma lëkundësh degën?
Në këtë këngë nuk ka rimë, as përsëritje të shpeshta. Përbëhet nga tri strofa. Ali Binaku përdor shprehje popullore, ne vërejmë perjetimin dhe përshkrimin e peizazhit, natyrës dhe mjedisit rural. Këtu Ali Binaku është i trishtuar dhe pyet veten se si të bjerë në gjumë, rri zgjuar natën dhe ne kemi ndjesinë se ndërsa lexojmë strofën e fundit është sikur po i rrëfehet një shoku dhe sikur kërkon ngushëllim në atë rrëfim. Vëmë re se ai i bën pyetje vetes ose shokut imagjinar, gjithashtu dy strofat e para janë interesante sepse, ai e krahason gjendjen e tij me natyrën, dhe thotë, “As shirat më nuk e mbulojnë token, as gjumi shpirtin”, shiu-toka, gjumi-shpirti. Në strofën e parë, kemi thirrjen e shiut që nuk është, kemi një ton të butë, tonin e një ninulle, të gjitha me dëshirën që gjumi të vizitojë shpirtin dhe shiu të vërë në gjumë Ali Binakun, i cili nuk ka gjumë. Kjo strofë aludon në motive djepi dhe lëkundjeje. Përsëritja e “A do t’i” është e pranishme si pyetje retorike të pashpresës dhe pafuqisë e kotësisë, autori prezanton në këtë segment. Pastaj në strofën e tretë përmendet për herë të parë një motiv mbizotërues dhe ky është termi të ardhur, por në formën e mbiemrit pronor i porsaardhur. Kjo fjalë është vendosur në kontekstin e kafshëve, është një krahasim simbolik me pronarët e tyre që shkatërrojnë gjithçka. Në fund, thotë se për çfarë të gjëmoj, sepse sikurse do të shohë ndryshime, edhe pse të gjëmojë dhe përsëri vërejmë praninë e një pyetjeje retorike dhe motivin e kotësisë.
Kënga e pestë
I frikësohem dhomës së heshtur në muzg,
i trembem kambanave të shkreta të deshve që varen në tavan
dhe me qetësi në erë jehojnë.
Dhe shkoj nën bli, kryqëzoj këmbët në lëndinë
dhe pres, pres:
që delet dhe lopët nga kullosa të mbushin sokakët e fshatit,
të sjellin gëzimin në fshat,
të sjellin nga fushat, lule mes thundrave,
të sjellin qumësht në gjinj.
I frikësohem dhomës së heshtur në muzg,
i frikësohem kambanave të shkreta që jehojnë lehtas në erë
dhe shkoj nën bli, kryqëzoj këmbët në lëndinë,
dhe pres, pres…
Nga arat e tjetërsuara, shtratit të rrugëve dhe sokakëve
muzgu i shkretë kërcëllon me thundra të vetmuara.
Maja e çikrikut ngrihet dhe ulet si zogu në litar,
muret dhe gardhet mbajnë erë hithrash.
Shkretëtirë. Vërshimi i muzgut mbyt gërmadhat e shtëpive.
Nuk duan lopët në mjelëset e gjinjve të futin qumësht në fshat,
nuk duan delet të fusin lule mes thundrave.
Tufat tona, të bardha, u rralluan si dhëmbët,
vathat dhe kullotat u lëvruan rishtazi.
A e di ti si lehin qentë tek delet në muzg,
a e di si lehjet e tyre rrapëllijnë
(rrapëllijnë!)
si zjarre të gëzuara rreth vathit?
A e di si është gjiri i plotë në buzën e qengjave të vegjël?
Eh, rritet bari përmbi rrugët tona!
Rrugët tona janë të lëruara gjerësisht.
Ju betohem,
në varre rritet patatja.
Kjo poezi përbëhet nga pesë strofa. Dy strofat e para janë shumë të lidhura, kështu që kemi një përsëritje të fjalëve “i frikësohem”, “pres”, “të sjellin”. Motivi dominues është motivi i frikës. Përsëritja e vargut të parë të strofës së parë dhe vargut të parë të strofës së dytë “I frikësohem dhomës së heshtur në muzg”, në këto strofa kemi pamje të fshatit, natyrës, kafshëve shtëpiake, krahasimin e të keqes me të mirën dhe duke pritur që të ndodhë e mira, duke pritur jetën që kishin më parë. Pra bëhet fjalë për kontrastet, në fillim një pamje e bukur e perëndimit të diellit dhe më pas vijon trishtimi dhe errësira. Në strofën e katërt përsërit pyetjen retorike “A e di” e cila nuk përmban përgjigje. Poeti pyet veten, në fakt ai na pyet, por nuk pret ndonjë përgjigje nga ne, por që ne të kuptojmë se për çfarë bëhet fjalë. Strofa e fundit është plot trishtim “Eh, rritet bari përmbi rrugët tona!”. Vetë shprehja ose pasthirrma “Eh” shpreh trishtim. Fjala është për varrezat shqiptare, të cilat serbët i kolonizuan dhe shkatërruan në Kosovë pas Luftës së Parë Botërore dhe lëruan rrugët e tyre, i kthyen në arat e veta dhe tani në varre rritet patatja. Pra, nuk i kanë më varrezat, por janë ara ku rritet bari dhe patatja.
Kënga e gjashtë
Tufat tona të bardha u rralluan si dhëmbët,
rrugët drejt bjeshkëve i mbuloi bari.
Dhe në ditët e verës, udhëtarë të etshëm, vijnë dhe shkojnë,
ndërsa retë nuk vinë as nga deti dhe në det.
Është mesditë. Çellopeku digjet. Degët e molisura varen,
gurëve u vjen era squfur.
Tri dele të ndara nga tufat
si të verbra dhe të lidhura njëra pas tjetrës,
ecin në rrugën që përvëlon.
Dhe kudo që ndodhesh, kudo që ulesh: ulërijnë qentë e barinjve,
dhe hapin gropa e kuisin nën dhe,
kuisin prej të nxehtit, nga malli për bjeshkën.
Dhe ditët e etura vijnë dhe kalojnë,
ndërsa re nuk ka as nga deti, as në det.
Është mesditë. Çellopeku digjet. Në bjeshkë gufojnë përrenjtë
dhe njomin barin dhe njomin bredhat deri në gjunjë.
Krojet rrahin lugjet e ujëvarës,
rrapëllijnë prej erës, stërpikin anët e lugjeve.
Dhe pishat ushtojnë si shpellat dhe stuhia,
me zërin e vetmisë
së lashtë,
të stërlashtë në bjeshkë.
Në cilin mal nuk dëgjohet bisedë? Në malin Shtedim
bisedë nuk ndihet.
Ai më qentë nuk i dëgjon, as kmesat si grremça.
as këngët, as sqeparin, as qentë e mejdanit.
Aty lëpushat ngrihen, mbulojnë stanet e shkretuara,
dhe toka bren hunjtë e vathave mbi nyje,
dhe bari del nga dërrasat e trinat.
Tufat tona të bardha si dhëmbë të rralluar
u mbuluan me bar rrugët dhe kriporet.
Në barin e bjeshkëve tona, në barin e madh me vesë
ujkonjat lajnë gjinjtë dhe ushqejnë këlyshët
dhe ushqejnë këlyshët
në kullotat e shkreta të bjeshkëve tona!
Kjo këngë është përshkruese, duke përshkruar zhegën (thatësinë) dhe bën kontraste të rrugëve dhe bjeshkëve nga njëra anë, shkretëtirën dhe nxehtësinë, askund ujë, ndërsa nga ana tjetër kemi rrjedhën dhe bukuritë e bjeshkëve dhe mallin për të. Përsëritja “Është mesditë. Çellopeku digjet” kjo kodër është e ekspozuar ndaj diellit, digjet nga dielli të cilat ndikojnë në motivet mbizotëruese të thatësirës dhe etjes së gjatë.
”Dhe kudo që ndodhesh, kudo që ulesh: ulërijnë qentë e barinjve dhe hapin gropa e kuisin nën dhe, kuisin prej të nxehtit, nga malli për bjeshkën”, prandaj motivet akustike, tingulli i rënkimeve, ulërimat e qenve të çobanit nga pikëllimi për bjeshkën. Në anën tjetër të bjeshkës, rrjedhat e barit të vesës spërkasin dhe bredhat e vesës deri në gjunjë, por mali Shtedim u mohua nga biseda, nuk ndihet asnjë bisedë, asnjë qen nuk u dëgjua dhe asnjë katund nuk u ngrit në të siç është zakoni. Pra, ky mal mbetet i mohuar nga njomësia dhe bukuria, sepse mbi të ujqërit lajnë gjinjtë dhe ushqejnë këlyshët.
Kënga e shtatë
Mos qaj, o moj, Zizë Nimon’ja e Nimon Alisë,
mos qaj në gjumë, mos e mallko çobaninë tënde,
mos ëndërro bjeshkët, as kullosat me vesë deri në gju,
as mrizet mos i ëndërro, as krojet e ftohta.
Fli, çobanesha ime herake!
Dhe zgjohu herët, e lopën gurishtës teposhtë lëshoje,
pranë lumit të Bistricës që shteret.
Aty do të gjejë gjethet e hidhura në degë,
dhe vesë do të gjejë;
vesë mbi gur.
Mos lëngo në gjumë, drenusha ime e rrëmbyeshme,
mos i nëm sytë, as nëntë vitet e tua mos i mallko,
mos ëndërro likenet e zeza në shpat
ku thahet bari ku bari prej gjakut nuk rritet.
Fli, çobanesha ime gjumëlehtë!
Po vijnë shirat e vjeshtës; shirat do ta lajnë tokën,
do ta lajnë dhe me farë do ta mbjellin.
Bari do të shpërthejë dhe gjithçka do të mbulojë bari,
bari pranveror i harrimit.
Mos lëngo, o plep, mos u dridh nga ethet e blerta,
mos shkul flokët e imët, mos thyej duart e vockla majëholla,
mos u tremb prej lajthishtës, mos shih ëndërr të vdekurin, të vrarin,
që u vra te kroi, që ia mbuluan fytyrën me lëpushë.
Fli, çobanesha ime ëndërrkeqe!
Po vijnë shirat e vjeshtës; shirat do t’i shehojnë gropat,
do t’i sheshojnë, me farë do t’i mbjellin.
Do të shpërthejë bari, dhe gjithçka do ta mbulojë bari,
bari i gjelbër
i harrimit.
Fli, çobanesha ime herake!
Që të çohesh herët, që ta çosh lopën në kullotë.
Që të gjejë ushqim; së paku një gjeth të hidhur në degë,
dhe vesë të gjejë, së paku mbi gur!
Kënga shtatë ka pesë strofa. Strofa e parë fillon me “Mos qaj, o moj, Zizë Nimoni’ja, Nimon Alisë” duke iu drejtuar vajzës dhe duke renditur brezat Zizë Nimon’ja e Nimon Alisë. I drejtohet për të mos qarë në ëndërr i referohet këshillimit për të mos ëndërruar natën, por për të fjetur, për të mos ngarkuar dhe torturuar veten, dhe gjithashtu për t’iu drejtuar çobaneshës “flej, çobanesha ime herake”. Në këtë këngë kemi përsëritjet urdhërore “flej”, “mos qaj”, “mos lëngo” të cilat i japin këngës një ton të trishtuar, por në përpjekje për t’u dhënë ngushëlllim dhe dhembshuri atyre. Të gjitha ato të paktën t’i durojë gjatë natës. Në strofën e dytë “ku thahet bari; ku bari prej gjakut nuk rritet”, bari është simbolik, ne mund ta krahasojmë atë me një njeri, bari thahet, ndërsa njerëzit vdesin, atje njerëzit vdesin, gjaku derdhet dhe bari nuk rritet. Por përsëri, i ngushëlluar nga shiu, “shirat e vjeshtës po vijnë – shirat do të lajnë tokën”, kështu që gjithë ai gjak do të lahet nga shirat e vjeshtës, shumë shi do të bjerë dhe pas kësaj bari do të dalë përsëri. Thotë se “bari do të mbijë, dhe gjithçka do të mbulohet me bar, bari pranveror i harrimit”, këtu ne ende shpresojmë që bari do të mbulojë gjakun, bar që do të na bëjë të harrojmë për të gjithë atë gjak të derdhur dhe shiu që do ta pastrojë atë. Në strofën e tretë, ne nuk e dimë saktësisht se kujt i drejtohet Ali Binaku. Ne kemi metaforën ethet e blerta, e blertë sintagmë dhe metaforën e pranishme duart e vockla majëholla. Në strofen e katërt veçojmë “Fli, çobanesha ime ëndërrkeqe!” këtu ai i drejtohet çobaneshës që ëndërron keq, sepse vetë fjala na tregon “ëndërrkeqe” pra sepse ajo ëndërron keq. Pastaj, ndjell shiun dhe bari do të rritet dhe do të lajë gjithçka. Pastaj, “bari i gjelbër i harrimit” përsëri bari si një simbol që gjithçka do të harrohet, por pavarësisht kësaj përsëri është edhe më e tmerrshme, sepse ne shtrojmë pyetjen nëse njerëzit do të jenë në gjendje të harrojnë të gjithë atë krim, natyrisht se jo, por ndoshta do të fshihen varret e viktimave si dhe provat e krimeve që pësuan për t’u dënuar ardhësit. Dhe në strofën e pestë “Fli çobanesha ime herake!”, çobanesha që zgjohet herët për të përfunduar punët e shtëpisë. Në secilën strofë, ne vërejmë se i drejtohet çobaneshës e cila zgjohet heret, është gjumëlehtë dhe që ëndërron keq.
Kënga e tetë
Goditën mbi ne, tinëzisht na ranë,
në ndejën e mëngjesit nën bli na ranë.
Dhe na rrëzuan, na zgjidhën brezin, shkelmuan
si armiqtë dorëzat e armiqve.
Na ranë nën blirin plot hije
që me degët mbulon nyjën gjashtë degëshe
e me majë rri mbi tymin e oxhakëve.
Na ranë ne, poshtë blirit na ranë
aty ku gjyshërit tanë ndenjën mëngjeseve e darkave verës,
dhe kanë folur për shëndetin, për korrjet,
kanë ndezur eshkën, shikonin retë,
duke mprehur kosat dhe zbavitur kuajt.
Dhe na rrëzuan, na zbërthyen në bar, na shkelën
aty ku në mëngjeset e hershme, në muzgjet e verës
kemi ndenjur vetë, të mbledhur në nevojë,
me shata të topitur, me kosa të mbaruara–
dhe çekiçët e kosave, dhe hallet, dhe duhanin kemi ndarë,
dhe fjalën shpresë nga goja në gojë kemi përcjellë
si prushin e mbuluar të mëngjesit
nga vatra në vatër.
Tani bliri vyshket i vetëm. Ndërsa unë plaku e vizitoj
kur hija e tij mbulon rrugën përgjysmë dhe e fik
dhe rri nën degë, kryqëzoji këmbët mbi lëndinë,
komshinjtë i pyes për shëndetin, të atyre që s’janë.
Dhe rri, rri. Me degët bisedoj
me gjuhën e gjetheve. Dhe zogjtë i kuptoj.
Dhe zogjtë thonë nuk fryn era në degë
që zogjtë t’i vrasë, që zogjtë t’i rrëzojë nga degët,
por që degët,
por që degët t’i mbrojnë zogjtë.
Kënga e tetë përbëhet nga katër strofa, strofa e parë ka katër vargje, strofa e dytë dhe e tretë tetë vargje, dhe e fundit dhjetë. Në strofën e parë ne menjëherë hyjmë në thelbin e poezisë, poema nuk ka gradim. “Goditën mbi ne, tinëzisht na ranë, në ndenjën e mëngjesit nën bli na ranë”, menjëherë shohim në strofën e parë që armiqtë i goditën ata, dhe ne kemi kohën dhe vendin e saktë kur ndodhi. Në strofën e dytë dhe të tretë nuk kemi rimë, por kemi momente të zhurmshme (tingëlluese). Dhe gjithashtu kemi paraqitje pikturale se si ata i godasin dhe mund të dëgjojmë saktësisht se si i torturuan. Në strofën e tretë kemi motiv barin, dhe ai është sinonim i diçkaje që përtërihet (rinovohet), pra që bari rritet, bari përfaqëson diçka të bukur dhe ka ngjyrë të gjelbër. Prandaj, motivi i barit është shumë i rëndësishëm për autorin dhe përdoret shpesh në këto poezi, motivi i barit përfaqëson lirinë, natyrën, ndjenjën e qetësisë. Por kryesisht, ata e shkelën atë dhe e bënë rrafsh me tokën, bënë diçka që nuk është në natyrën e saj. Bari në këtë rast është i ndërlidhur me njerëz, sepse ata torturonuan njerëzit sikurse barin dhe shkelën edhe njerëzit edhe barin. E megjithatë, në fund të fundit, edhe pse bari shkelet dhe sado që shkelet, në fund mbin dhe rritet përsëri, kështu që për ata njerëz do të ketë të ardhme më të mirë, ka shpresë se do të jetë si më parë dhe se kjo e keqe do të marrë fund një ditë. Zogjtë në këtë strofë shprehin personifikimin, “Edhe zogjtë i kuptoj. Edhe zogjtë thonë: nuk fryn era në degë”, pra kemi imitim të tingujve nga natyra, figurat onomatopeike.
Kënga e nëntë
Mos qaj Ibish, nxënës i brengosur në të ardhurit.
Mos këput shpirtin, mos i lodh sytë dhe mos qaj.
Po, me çantën e nxënësit të shkrimit të huaj ti je për mua
një misër i dobët nën zgjeben e plumbtë.
Kur godet me grusht, mbi libër, ti me grusht vringëllon
në gozhdët e shkronjave, të mprehta si gozhdët
në dy anët të mprehta. – Por mos qaj,
Mos qaj, Ibish!
Vuajtje dhe pikëllim se imi je më shumë se damari në qafë,
dhe në varrin tim, nga dheu i kripur nga pikëllimi dhe urrejtja
nuk do të dalë bar – bari i gjelbër i harrimit.
Por ti mos qaj. Kur bien vuajtjet mbi njeriun,
o burrë, mos qaj. Njeri, Ibish, Ibish Nimoni,
mos qaj, dhëmbin në dhemb preje dhe mos qaj;
he burrë, Ibish,
kujto kush je dhe i kujt je!
Mbi mua të vetmin, në kohën e fiseve tek unë
kanë qenë tre perandorë, që kanë ardhur të mos shkojnë,
të cilët qytetet dhe fshatrat tona i ngritën si gotat
dhe kanë trokitur me to sipër tavolinave dhe kufijve
dhe i kanë tretur në copa, nga inati ose qejfi,
dhe kuajt me bukë i kanë ushqyer, dhe shpatat me mish,
tre perandorë që kanë ardhur të mos shkojnë,
dhe kanë shkuar,
shkatërruar janë si poçat.
Mbi ne dhe mbi mua, në kositjen e një jete,
kanë qenë tre mbretër, që kanë ardhur për të mos shkuar,
që kanë tërhequr topat në shtatë kufij dhe rrugë
dhe na kanë vrarë me zjarr dhe na kanë rrahur për të na ngrirë
dhe shkundur si pemën, dhe qethur si delen,
dhe thurur në trina, hunjtë e së cilës ndahen në pjesë,
tre mbretër që kanë ardhur të shkojnë,
dhe kanë shkuar,
shkatërruar janë si poçat.
Brazdave të këtyre arave, rrudhave të këtyre ballëve
kanë kaluar Shemsi pashët, Sav Batarët, Todor bashët tanë,
sejmenët, kalorësit, xhandarët, torollakët, shkopxhinjtë,
kamatarët dhe mitomanët, rrahësit me tambure –shkruesit…
Dhe shkuan, komandantët dhe ushtritë. Ajo e pakthyeshmja,
se lavdëroheshin si të përjetshëm. Dhe më e papritura,
kur bëheshin si më të fortët. Quhen kanë qenë dhe do të quhen,
do të quhen
çfarë janë!
Do të thuhet kanë qenë. Kurse – ne të parët dhe të fundit,
ne si trungu, ne rrënjët e rrënjosura që ecin,
ne të prerët, ne që mbrohemi dhe përtërihemi
në dhjetë filiza, mungëllojmë në tri thika
ne jemi këtu, dhe do të jemi, që lagjet të bëhen fshatra,
dhe katunzat në katunde, që farëzat të mbijnë nën rrebesh,
që dielli të mbjellë fidanin e vet në ujërat e vërshuara në gryka,
që kuajt tanë të shalës të shkelin përrenjtë dhe cekinat
dhe të qëndrojnë në yje, dhe yjet të fluturojnë në copa,
që me këngë të dimë çfarë bëjmë, që ti të gjethosh
në tri thika, në tri fletë te gjethosh
të rritesh,
që të thuash kush je dhe i kujt je!
Dhe ti mos qaj. Kur bien vuajtjet mbi njeriun,
O burrë, mos qaj! Ibish, he burrë, ti me zemër kaloje
dhe librin dhunues – kur pra edhe libri është fuqi,
duroje dhe mësoje – kur pra edhe fuqia është libër!
Dhe në të, bash në të, të mbushur me xhandarë dhe zotërinj,
do të gjesh se ndonjëherë është më burrërore dhe më e mençur
të lëvrosh rrugët, se arat e Metohisë.
Prej diku nga ajo ka ardhur se atij, që
ligji i pushon në kondak, gjurma i qelbet nga panjerëzia.
Diku në të ka shkruar Mark Milani në Medun
që të dihet se kush jemi dhe të kujt jemi.
Prandaj mos qaj. Prandaj në vuajtje burrërohu.
Nga ai libër, dhe atyre pas tij dhe atyre,
përpiqu që të mundesh: ku libri nuk i ndihmon kokës,
dhe koka dorës, mos qofshin – as libri, as koka, –
përpiqu të krijosh, kërko që të dallosh
se kur, me kë dhe si–
që knjiga të jetë libër, glava të jetë kokë,
sloboda – të jetë – liri.
Dhe atëherë, Ibish, ti brushtulli im rreth brezit,
atëherë
lapsi në gishtat e tu që i dua të dhjetë deri në majë,
nuk do të jetë mjet torture këndor, si darë mes gishtave,
jo! – Ai do të jetë më i butë dhe më i freskët
se fijet e barit mëngjesor, me të cilin fshin kosën,
se griha, e butë dhe e lagur, në dorë në agim,
në dorën që dua, të kosëtarit që e dua,
do të jetë – mbaj mend kush jemi dhe të kujt jemi!
Kjo këngë është e përbërë nga nëntë strofa, dy strofat e para dhe e teta kanë nga tetë vargje, e treta, e katërta, e pesta dhe e nënta kanë nëntë, strofa e gjashtë trembëdhjetë, strofa e shtatë ka njëmbëdhjetë vargje. Në fillim të këngës kemi prezantim të drejtimit direkt nxënësit që ishte edhe viktimë dhe që ishte i trishtuar “Mos qaj Ibish, nxënës i brengosur në të ardhurit”, sepse thotë “Mos këput shpirtin, mos i lodh sytë dhe mos qaj”, pra këtu Zogoviqi dëshiron të thotë nuk ka nevojë t’i tregojë të gjitha lotët që ka, sepse trishtimi shihet mjaft në sytë e tij. Ai e urdhëron atë të mos qajë, por të bëjë detyrën për të cilën u dërgua në shkolle me çantën e shkrimit të huaj, që të mësonte. Kemi përsëri figurën stilistike që përsëritet “Por mos qaj, mos qaj, Ibish!” pra, përsëri duke theksuar se nxënësi i tij nuk duhet të qajë, gjë që na kujton në mënyrë simbolike trishtimin dhe dhimbjen si emocione dominuese. Strofa e dytë na tregon për mundimin dhe pikëllimin e tyre. Ai vjen nga një vend që është i kripur nga dhimbja dhe urrejtja, tregon se sa kanë vuajtur dhe vazhdimisht e kthen atë tek rrënjët e tij për t’u rikujtuar kush është, i kujt është dhe nga është dhe në atë mënyrë të luftojë me dinjitet me gjithçka që i ndodhi. Pastaj kemi një krahasim, krahason vendin që është i kripur me hidhërim me barin e gjelbër pra me barin e harresës. Dhe bari është shenjë e rilindjes, por në këtë rast nuk është për shkak se nuk mbin dhe nuk do të harrohet. Nuk ka mbetur asgjë pas atyre mundimeve dhe shkatërrimeve që u bënë e që njerëzit nuk mund të vazhdojnë më tej, aq ishin të torturuar. Strofa e tretë dhe e katërt kanë përsëritje të vargut. Dy vargjet përsëriten. Pra, njëri varg transferohet në vargun tjetër. Ka strofa të ngjashme që flasin se sa vuajti populli shqiptar, përshkruan se sa ishin të torturuar. Ai më tej e krahasoi torturën me një frut “dhe shkundur si pemën, dhe qethur si delen”. Në strofën e pestë kemi numërim: pashallarë, xhandarë, torollakët, shkopxhinjtë, kamatarët, mitomanët, tambure-shkruesit, udhëheqës dhe ushtri, gjë që na tregon imazhin e zhurmës. Ndërsa lexojmë Këngën nëntë, ne mund të ndiejmë zhurmën, sidomos në strofën e pestë kemi një imazh shumë zhurmues, kështu që ne në vete na krijohet ajo zhurma e këtyre xhandarëve, pashallarëve, duke kaluar me çizme nëpër atë tokë të munduar.
Përsëri në strofën e gjashtë kemi rikujtim për rrënjët dhe të gjitha i përcjell tek djali, dhe thotë “të rritesh, të thuash kush je dhe i kujt je!”. Ajo që është e rëndësishme këtu, që e gjithë ajo jetë e vështirë do të percillet tek djali i tij dhe të gjithë brezat pra tek pasardhësit, kështu që kushdo qoftë, do të kujtojë se çfarë ka mbetur si rezultat i atyre mundimeve, maltretimeve, shkatërrimeve. Këtu kemi figurën stilistike gradacionin “të rritesh”. Në strofën e shtatë ai përmend të qarat dhe na tregon vlerën e lotëve, vlerën e pikëllimit të tyre që nuk mbetën të pashkruara, sepse ai përcolli në letër në thelb gjithçka, gjithë zemërimin dhe tërë hidhërimin e tij që ndjeu ai, fëmija i tij, familja dhe të gjithë njerëzit dhe fisi i tij. Gjithashtu i drejtohet Ibishit që të mos qajë por me zemër të heroizojë dhe librin me forcë ta durojë dhe mësojë, sepse thotë forca dhe fuqia mund të jetë libri, me ndihmë të librit dhe inteligjencës fitojmë një ditë. E njëjta strofë përmend Mark Milanin nga Kuçi, i cili vetë shkroi për shqiptarët në librin “Shembuj guximi dhe heroizmi”, dhe kështu përsëri ne e dimë kush jemi dhe të kujt jemi, që do të thotë se origjina dhe rrënjët e identitetit tonë janë të një rëndësie thelbësore që janë endur tek ne që nga lindja. Në vetë titullin e librit, mund të konkludojmë se populli shqiptar është një shembull heroizmi, njerëz të besës dhe se shqiptarët janë njerëz për të cilët njerëzimi dhe nderi janë më të rëndësishëm se vetë jeta, njerëz që mund të qëndrojnë në të keqën dhe të qëndrojnë të pamposhtur. Pra, në strofën e gjashtë dhe të shtatë kemi krahasime, një rimë të pandryshueshme, dikund e kemi dhe dikund jo. Për sa i përket strofës së tetë, ka vargje baladike, në këtë strofë kemi pak shpresë, shpreson që vendi i tij do të marrë lirinë që populli të shprehet dhe flasë ne gjuhën e vet shqipe dhe thotë “që libri të jetë libër, që koka të jetë krye, liria-të jetë-liri”, në këto vargje kemi fjalë në shqip, që një ditë ato tri fjalë mund të shqiptohen në shqip dhe të zbatohen me ligj për të qenë të lirë për të marrë përfundimisht statusin e lirisë, të drejtën e shprehjes njerëzore, të drejtën e fjalës dhe që është e pandashme nga e drejta e lirisë.
Dhe së fundmi, në strofën e fundit, ai i drejtohet përsëri Ibishit dhe i thotë se çfarë do të bëjë atëherë, në mënyrë që asnjë laps të mos jetë një mjet mundimi këndor. Përsëri ai i thotë të kujtohet kush jemi dhe të kujt jemi, sepse përsëri ajo çka transmetohet, kalohet nëpër brezat e tij, dhe mbetet e kanonizuar në kujtesë, prandaj, jeton përgjithmonë.
Kënga e dhjetë
Ranë pyjet tona
si ushtritë e kositura.
Dheun si derrat gërmojnë
duke kërkuar rrënjët e drurëve.
Burimet tona dhe përrenjtë ikën prej nesh,
të mbjellat tona i pi toka që i ushqen.
Ujin për kopshte dhe ara
me të holla e blejmë.
Dhe ja – nga kullotat tona dhe nga pyjet
edhe në arat tona kaluan shtizat majëmprehta,
dhe në arat tona kaluan aparate këmbëmprehta,
Dhe me këmbë të verdha si zogj grabitqarë,
ecin nga brazda në brazdë
dhe matin me syrin…
Në këtë poezi, është dhënë një përshkrim i pyjeve të rënë, një krahasim me ushtrinë, duke lëruar tokën për të kërkuar rrënjët e drurëve. Pra, armiqtë ua morën dhe i shkatërruan, ato nuk janë më pyjet e tyre, nuk janë më burimet dhe përrenjtë e tyre me ujë, as arat e tyre, por ata blejnë gjithçka nga të huajt, domethënë nga armiqtë që ua morën. E rëndësishme ështe përjetimi se gjithçka që ka qenë e tyre nuk është më, me ç’gjë fitojmë një pamje të pashmangshme të fatit njerëzor dhe pranimin e tij. Në strofën e tretë kemi figura tingëlluese, si kalonin nëpër arat e tyre dhe çfarë kalonte nëpër arat e tyre “edhe në arat tona kaluan shtizat majëmprehta, dhe në arat tona kaluan aparate këmbëmprehta”. Në strofën e katërt, duhet shtuar se si armiku krahasohet me një zog grabitqar, ky zog përfaqëson një kafshë që gjuan dhe merr atë që shikon, siç thuhet në këngë sepse mat gjithçka me sy, pra për t’u marrë gjithçka që ishte e tyre dhe për çka ata kanë derdhur djersë. Zogu grabitqar në këtë rast është armiku që u merr pronat shqiptarve.
Kënga e njëmbëdhjetë
Erdhën dhengrënësit me shirokun e parë
kur dheu i bardhë u bë lara – lara
me vijat e brazdave, me shkronja për farërat.
Erdhën dhengrënësit, matën arat, shënuan vijat
dhe regjistruan e nënshkruan,
dhe vizën në vizë, sinorin mbi sinor e vunë, –
tokën tonë
si fjalën tonë
me shtatë vula e mbyllën.
Dhe ditët shkojnë. Metohia vlon me qumësht.
Le të shkojnë. Le të vlojnë. Gurrat le t’i lëvizin gurët,
le t’i sharrojë lëndinat thneglat e tharta,
le t’i levizin degët bulëzat duke bulëzuar.
Ti, Nimon Alia i Ali Binakut
duart e tepërta vendosi mbi krahë.
Dhe ditët kalojnë, si kalorësit vëllezërit e një fisi
që vrapojnë drejt vëllezërve në ndihmë dhe asnjë prej tyre nuk kthehet.
Po vjen pranvera! S’ka gjë, le të vijë,
le të mbjellin speca bijtë e Ali Binakut,
Binak Rustemit, ata që lëruan tokat
dhe njëzet brazda mbillnin me një turrë,
le të ruajnë pulat, ata që ruajtën delet
dhe u prinin tufave, dhe këndonin këngë trimërie,
dhe me pushkë kanë vrarë shenjat nëpër bjeshkë.
Le të bëhen hyzmeqarë pasardhësit e Binak Rustemit,
pasardhëset
hyzmeqare!
Duart që lëvruan vendosi mbi krahë!
Kjo këngë flet për tokën që ua grabitën dhe ai i quan këta njerëz domethënë armikun e quan krimb i tokave, të cilët matën arat, megjat dhe u morën gjithçka. Në fakt, ardhësit janë shënuar stilistikisht si ngrënës të tokës që plaçkitnin dhe përvetësojnë tokën e dikujt tjetër, tokën e fisit të Ali Binakut. Ata që ishin pronarë të asaj toke dhe që ishte toka e tyre tani ishin të detyruar të ruajnë pulat ose të ikin që të shpëtojnë. Pra, shqiptarët nuk kanë të drejta mbi vendin e tyre, sepse ata ua kanë ndaluar dhe mbyllur sikur fjalët e tyre. I ndaluan të mbjellin ara, i ndaluan të rebelohen dhe të drejtën në fjalët ankuese. Strofa e fundit thotë: “Dhe ditët kalojnë, si kalorësit vëllezërit e një fisi” pra, ditët kalojnë dhe ashtu njerëzit e atij fisi largohen nga toka e tyre që vëllezërve të tyre t’u kërkojnë ndihmë dhe të shpëtojnë dhe pastaj asnjëri nga ata të mos kthehet që të luftojë për token e vet dhe t’i dëbojë ngrënësit e tokës nga toka e tyre. Heroi lirik i zemëruar i vë duart mbi krahët e tij dhe mendon, i pafuqishëm, i moshuar, i torturuar dhe duke parë fisin e tij duke u zhdukur, duke parë të gjitha këto ndryshime, duke parë bijtë apo pasardhësit e tij, ndërsa ata bëhen shërbëtorë dhe shërbëtore. Të gjitha ato i shikon dhe prishet se si gjithçka për çka jetoi dhe çka ishte kuptimi i jetës së tij dhe ekzistencës së tij u zhduk. Në fund, ata duhet të jenë shërbëtorë të të tjerëve dhe në mënyrë që të mos ia lënë tokën e tyre armikut, sigurisht ky edhe ishte qëllimi i tyre që të mos i lejonin të mbijetonin duke u marrë gjithçka, dhe duke u marrë tokën, arat, megjat, shtëpitë, ata u morën gjithçka duke i vrarë ngadalë dhe gradualisht. Asgjë më nuk mund të bëhet, nuk ka mbrojtje, shpëtim, rebelim, gjithçka ka mbaruar.
Kënga e dymbëdhjetë
Fusha ka pirë borën si buka e grurit qumështin.
Dhe, njerëz, betohem me bukë! –
në arat tona ardhësit kanë sjellë plugjet,
na lëvrojnë nën themele.
O njerëz të ardhur, njerëz në ara,
ndalini plugjet në brazda,
mbajeni farën ndër duar, –
dëgjoni!
Ai plug që u ngul në arat tona,
nuk është plug,
nuk është plug – (as plori nuk është plor)!
Me këtë kanë ngulur thikën mes nesh
Në mishin tonë të tokës!
Kënga e fundit ka katër strofa, strofa e fundit është një varg. Vargun e dytë e kemi në strofën e parë “Dhe njerëz, betohem me bukë!” dhe duke iu drejtuar njerëzve, që betohet në bukë se ardhësit kanë ardhur dhe kanë sjellë plugje për të lëruar tokën e tyre. Në strofën e dytë, kemi njerëz të ardhur, me këto fjalë shprehin qartë vizionin poetik të atij njerëzimi të degjeneruar të atyre njerëzve që erdhën, rrëmbyen dhe shkatërruan botën e Ali Binakut. Në fund të poezisë, atyre njerëzve të prishur në mënyrë rebele dhe sfiduese u drejtohet dhe u kërkon që të lëshojnë plugjet në brazda dhe të mbajnë farën ndër duar dhe të dëgjojnë njerëzit e tij çfarë ka për t’u thënë:
“Ai plug që u ngul në arat tona,
nuk është plug, nuk është plug – as plori nuk është plor!”
“Me këtë kanë ngulur thikën mes nesh, në mishin tonë të tokës!”
Me fjalë të tjera, ne mund t’i lidhim këto vargje me këngën e parë, fundin e strofës së parë “Unë Ali Binaku – Të mallkoj në të gjitha deri tek fara e nuses!”, dhe kemi motivin e farës që krahasohet me helmin me të cilin ardhësit kanë ngulur thikën në mishin e tokës dhe në mesin e tyre, në mënyrë që armiku-ardhësit t’ua shkatërrojnë jetën në mënyrë të pamëshirshme dhe mizore.
PËRFUNDIMI
Poezia e Zogoviqit shumë fort përshkroi poetikiksht një epokë të tërë të trazuar, artistikisht dhe me ideale revolucionare, poezia e tij shprehte aspirata dhe lëvizje të reja, të cilat ishin veçanërisht të përshtatshme për ngjarjet, fenomenet, jetët njerëzore dhe vuajtjet e asaj kohe, etj. Heroizmi i tij tregohet, ndër të tjera, sepse ai shkruajti për popullin shqiptar dhe doli në krah të shqiptarëve. Ky cikël na dërgon gjithashtu një mesazh të qartë, se njerëzit nuk duhet ta urrejnë njëri-tjetrin dhe të ushqejnë shpirtrat e tyre me urrejtje ose të dënojnë popujt e tjerë dhe njerëzit e tjerë, sepse në të vërtetë tregon kush jemi. Zogoviq është një njeri i madh, sepse ai e do jo vetëm veten e tij, vetëm kombin e tij dhe interesat e tij apo interesat e popullit të tij, por ai gjithashtu i do kombet e tjera, njerëzit e tjerë, ai e do mbi të gjitha drejtësinë dhe lirinë që përfaqësojnë idealet e tij të jetës. Ai i kupton popujt e tjerë që i ka shumë afër tij, pasi që ne jemi një popull i ngjashëm (malazezë dhe shqiptarë), historikisht kemi marrëdhënie specifike për sa i përket ngjashmërive të kulturës, zakoneve, mentalitetit dhe gjithashtu jetesës së përbashkët, jetës dhe fatit si dy popuj të shtypur që vuajtën sulme të ndryshme, rrëzime, padrejtësi, diskriminime, dëme dhe stuhi të rrezikshme dhe vuajtje shpesh të tmerrshme, por gjithsesi të pashkatërrueshëm që luftuan deri në fund e me trimërinë dhe heroizmin e tyre kapërcyen të gjitha fatkeqësitë dhe tmerret.
Ai inkurajon fuqinë poetike, ajo fuqi mund të ndryshojë shumë, ai beson se fjala poetike kapërcen gjithçka, të paktën mund të ndikojë te lexuesi dhe në mendimet e tyre përmes veprave dhe t’i nxisë ata të mendojnë ndryshe. Dhe vetë Zogoviqi e vërtetoi atë me këtë vepër. Zogoviqi arriti të ishte i dashur, i vlerësuar dhe i respektuar jo vetëm midis shqiptarëve, por edhe më gjerë. Falë qëndrimit që kishte dhe që e karakterizonte atë si një njeri të fortë, të vendosur që rri pas fjalës së tij dhe që mbron qëndrimet dhe mendimet e tij deri në fund me gjithë forcën që zotëron, ai kishte atë qëndrim karakteristik që e çoi atë në një rrugë shumë të vështirë, përmes errësirës , përmes gurëve dhe vështirësive. Karakteri i tij i fortë ishte si një yll udhëzues pavarësisht errësirës, ai jepte dritë aty ku kishte padrejtësi, sepse u përpoq të ndryshonte gjërat dhe të ndikonte që ato të ishin ashtu siç mendonte se duhet të ishin.
Zogoviqi ishte zotërues i fjalëve të tij, sepse siç thonë një njeri është zotërues i fjalëve të tij të pathëna, dhe fjalët e thëna janë zotërues i njeriut. Për Zogoviqin vlen, se ai me fjalë shprehte mendimet e tij dhe ishte zotërues dhe sundues i fjalëve të tij të thëna, kështu që ai nuk lejoi që fjalët të sundonin apo zotëronin me të, sepse, siç e dimë, ai udhëhiqej nga polemika, kritika, etj që do të thotë se nuk ishte kontradiktor, por qëndronte gjithnjë i fortë dhe me vendosmëri pas fjalëve të tij, pa marrë parasysh se çfarë do të humbte ose fitonte, ai gjithmonë udhëhiqej nga kjo, duke rrezikuar jetën e tij private dhe familjare e poashtu edhe ardhmërinë e karrierës.
Etika dhe lidhja e tij e fortë me moralin është shumë e dukshme në këto këngë. Ajo që është karakteristikë e kësaj poezie është prania e motiveve, të cilat janë specifike në mjedisin patriarkal, të cilat janë poashtu lidhja dhe ndikimet e dukshme të krijimtarisë së Njegoshit dhe “Kurorës së maleve”.
Zogoviqi ndërton një mori shprehjesh dhe imazhesh, një gjuhë tingëlluese të mbushur me detaje të realitetit, shprehje që kanë karakterin e emocioneve dhe forma që pasurojnë gjuhën letrare. Përdorimi i shumtë i shprehjeve të tilla (lulet e livadheve, qetë me brirë të lagur, dorezat majëholla, hijet e rënduara nga muzgu…) marrin vlera të mëdha dhe kuptime të shumëfishta dhe secila ka vendin e vet specifik dhe funksional që i jep kuptim këngës dhe ritmit.
Ai me mjeshtëri i fut në poezi të vërtetat e jetës, të cilat janë thelbësisht përvojat e tij dhe si një kritik pa kompromis ai kritikon qeverinë, mbron të drejtat e njeriut, të drejtat e jetës, të drejtat e fjalës dhe lirinë.
[1] Jovan Deretić. Kratka istorija srpske književnosti. Beograd: BIGZ. 1987, 272.
[2] Milorad Stojović. Nadmoć ljudskosti. Titograd: Pobjeda. 1987, 121.
[3] Radovan Zogović. “Voćka na udarcu”. Cetinje: Otvoreni kulturni forum. 2009, 275.
[4] Radovan Zogović. Voćka na udarcu. Cetinje: Otvoreni kulturni forum. 2009, 279.
[5] Marko Vešović. Jezik u poeziji Radovana Zogovića. Cetinje: OKF. 2008, 431.
[6] Milorad Stojović. Nadmoć ljudskosti. Titograd: Pobjeda, 1987, 123.
[7] Bogić Rakočević. Poetika montenegrina. Cetinje: OKF, NBCG ”Đurđe Crnojević”. 2012, 75.
[8] Ibid, 75.
[9] Ibid, 77.
[10] Ibid, 77.
[11] Radovan Zogović. Na poprištu. Beograd: Kultura. 1947, 77.
[12] Vlatko Pavletić. Osvajanje slobode. Zagreb: Kolo, nova serija, br.4. 1969. 271-275
[13] Radovan Zogović. Na poprištu. Beograd: Kultura.1947, 218.
[14] Ibid, 218.
[15] Ibid, 92.
[16] Ibid, 92.
[17] Milorad Stojovič. Nadmoć ljudskosti. Titograd: Pobjeda. 1987, 122.
[18] Marko Vešović. Jezik u poeziji Radovana Zogovića” Cetinje: OKF. 2008, 7.
[19] Ibid, 9.
[20] http://www.ashak.org/?cid=1,28,89
[21] https://fer.org.rs/wp-content/uploads/2018/02/6-i-7-glava-Miranda-Wikers.pdf
[22] Vojislav Minić . Pisci i koncepcije. Titograd: Pobjeda. 1987, 9.
[23] Vladimir Vojinović. Montenegrinske teme. IVP, Cetinje. Plima. 2012,133.
[24] Radovan Zogović. Došljaci-pjesme Ali Binaka. Podgorica: ZUNS. 2017, 56.
[25] Vojislav Minić . Pisci i koncepcije. Titograd: Pobjeda. 1987, 12.
[26] Marko Vešović. Jezik u poeziji Radovana Zogovića. Cetinje: OKF. 2008, 293.